Kryeministri thotë se në fund nga e gjithë kjo vorbull shumica qeverisëse do të dalë me vullnetin e ripërtërirë për të qenë shumë më afër me popullin.
Kryeministri, Edi Rama ka bërë këtë të martë një reagim lidhur me protestën që ka hyrë sot në ditën e 31-të. Në postimin në Facebook, që kreu i qeverisë e shoqëron me një foto të një protestuesi me tatuazh në krah, Rama thotë se qeveria do të reflektojë.
Nga tjetër, kreu i qeverisë sulmoi një pjesë të protestueve ashtu siç bën dhe lideri i opozitës, Sali Berisha. uptohet se këtu bëhet fjalë për thirrjet jo vetëm për dorëheqjen e tij, por “Rama në burg, Berisha në burg” që për Ramën, vijnë nga “dështakë të zemëruar”.
Postimi i Ramës në Facebook:
QYTETARËT kanë të drejtë të protestojnë pavarësisht se kush i drejton, manipulon, përdor dhe abuzon me hallet e tyre.
Skorja e mbetjeve të rrezikshme socio-politike të bulevardit dhe uji i rrjedhshëm i protestës së qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen, janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Ai ujë që buron nga halle, shqetësime, probleme reale të jetës së çdo protestuesi apo simpatizanti të protestës, duhet kthyer dhe do ta kthejmë në energji për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, duke ndarë me ta reflektimin tonë nga kjo protestë, sapo ta kemi lexuar me vëmendje e përulësi krejt mesazhin e zemërimit të tyre të sinqertë.
Ndërsa skorja e shpifur që ka bërë bashkë plot dështakë të zemëruar të Shqipërisë, turlilloj personazhesh që japin mend që s’i kanë dhe shfryjnë dufe e mllefe për të cilat s’ua ka fajin askush veç vetes, duhet parë e treguar pa asnjë ngurrim mu siç është:
Shembëlltyra më e zezë e alternativave politike të këtyre 35 vjetëve.
Por e mira më e madhe e kësaj proteste, për të cilën do të bëhen pishman edhe armiqtë e dashakeqët e Shqipërisë që qëndrojnë pas cunamit të baltës digjitale, është se në fund nga e gjithë kjo vorbull shumica qeverisëse do të dalë me vullnetin e ripërtërirë për të qenë shumë më afër me popullin.
Dhe protestuesit do të fitojnë bashkë me Shqipërinë, ndërsa shembëlltyra e zezë që i keqpërdori do të dështojë e do të thërmohet në çika…









