Në Danimarkë, Policia ka shpërndarë turmat e mbledhura për çështjen e emigracionit, duke përdorur qen pastorë, shkopa gome dhe dhunë ndaj demostruesve
Prej disa ditësh, e gjithë Europa është duke u përballur me një valë të jashtëzakonshme protestash, që në shumë raste janë të dhunshme, dhe kanë kulmuar me djegien e godinave në qendra qytetesh. Protestat kanë përfshirë së fundi edhe Danimarkën, ku siç shihet në një video që është bërë virale në rrjetet sociale, Policia ka përdorur forcën për shpërndarjen e protestuesve. Në pamje shihet, se efektivët e policisë përveç gazit dhe shkopave të gomës, përdorin dhe qentë pastorë për shpërndarjen e turmës. Në mesin e personave që kanë mbetur të lënduar pas ndërhyrjes policore është dhe një gazetar.
Siç shihet dhe në videon e mësipërme, protestuesit danezë nuk janë të pajisur me molotov, gurë apo fishekzjarre, pamje që i kemi parë shpesh në Tiranën e këtyre 9 ditëve.
Përgjatë protestave që janë duke u mbajtur në Shqipëri, si asnjëherë më parë në këto 30 vite, është vënë re një agresivitet i të rinjve, jo vetëm ndaj godinave të institucioneve dhe forcave të rendit, por edhe ndaj bizneseve private.
Një nga faktet më shqetësuese është dhe numri mjaft i lartë i efektivëve të lënduar, që sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, i tejkalojnë shifrat e protestuesve që kanë mbetur të dëmtuar.
Si pasojë e akteve të dhunshme, prej ditësh jeta në Tiranë është paralizuar, ndërkohë që ende nuk ka një afat dhe një rrugëdalje, për të gjetur gjuhën e përbashkët mes protestuesve dhe qeverisë, pavarësisht thirrjeve që kjo e fundit ka bërë për dialog në dy ditët e fundit.
Protestat në Danimarkë, janë zhvilluar nga grupe pro dhe kundër emigrimit. Protesta kryesore u organizua nga lëvizja “Det Danske Folk”, e cila kërkon zbatimin e një politike që e cilëson si “remigrim të drejtë dhe realist”. Organizatorët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj asaj që e quajnë islamizim, zbatimit të Sheriatit dhe kontrollit shoqëror.
Në të njëjtën ditë, organizata kundër racizmit dhe diskriminimit organizuan një kundërprotestë me sloganin “Jo remigrimit”, duke kundërshtuar atë që e konsiderojnë si politikë diskriminuese ndaj emigrantëve dhe komuniteteve myslimane.
Demonstruesit marshuan nga sheshi Kongens Nytorv drejt sheshit të Pallatit Christiansborg, ndërsa policia u angazhua për të mbajtur të ndara palët kundërshtare.
Sipas raportimit të agjencisë daneze Ritzau, tetë persona u arrestuan në lidhje me demonstratat. Tre arrestime u kryen përpara nisjes së tubimit, ndërsa pesë të tjera ndodhën rreth orës 17:00, kur protesta po shpërndahej.
Zëvendësinspektori i policisë së Kopenhagës, Jakob Hansen, deklaroi se pas përfundimit të demonstratës, grupe të vogla nisën të mbulonin fytyrat dhe të përfshiheshin në konfrontime me persona të tjerë. Sipas tij, ndërhyrja e policisë synonte parandalimin e përshkallëzimit dhe gjatë përplasjes efektivët nxorën shkopinjtë e gomës.
Demonstratat e 17 tetorit pasuan tubime të mëparshme për të njëjtën çështje, duke nxjerrë në pah ndarjet në shoqërinë daneze rreth emigracionit, identitetit kombëtar dhe të drejtave të pakicave.









