Kryeministri sfidon sërish mijëra qytetarët që çdo natë protestojnë para zyrës së tij. “Pse duhet të arrij unë një marrëveshje?” thotë ai. “Ata kanë të drejtë të protestojnë. Por ne jemi zgjedhur me një fitore të thellë, ata nukm mund ë imponojnë asgjë”- thekson ai.
Nga Guy De Launey
Edi Rama nuk duket se është entuziast kur “Monocle” viziton zyrën e tij, por kjo mund të ketë lidhje me protestat jashtë dritares së tij në qendër të Tiranës. Mungesa e përzemërsisë kontraston me imazhin e kryeministrit afatgjatë shqiptar si shtetari-dhe-showmani i Ballkanit Perëndimor.
Rama njihet për mungesën e respektit dhe seriozitetit të tij në samitet ndërkombëtare: një moment duke i bërë serenatë homologes së tij italiane, Giorgia Meloni; momentin tjetër, duke bërë shaka me Emmanuel Macron për prirjen e Donald Trump-it për të ngatërruar Shqipërinë me Armeninë.
Profilet në media flasin me admirim për veprat e artit që zbukurojnë zyrën e tij dhe prirjen e tij për të vizatuar (shgarravitur). Ato të marramendin se sa afër anëtarësimit në BE e ka sjellë ai Shqipërinë gjatë 13 viteve të tij në detyrë, duke transformuar vijën e horizontit të Tiranës dhe duke kryesuar një bum turistik.
Ata gazetarë me sa duket nuk u përballën me versionin e Ramës që shohim ne. Fotografit të Monocle i pritet hovi shpejt kur i kërkon kryeministrit të vizatojë ndërsa pozon, e më pas merr një tjetër qortim kur ndryshon pozicion gjatë intervistës.
Një pyetje rreth arritjes së një kompromisi me protestuesit flaket mënjanë. “Pse duhet të arrij unë një marrëveshje?” thotë ai. “Ata kanë të drejtë të protestojnë. Është një arritje e madhe për këtë vend që të ketë protesta paqësore. Por ne jemi zgjedhur me një fitore të thellë dhe kemi një vizion të qartë. Kemi një kontratë me shumicën e shqiptarëve. Disa mijëra njerëz që ngrenë krye se ne duhet të ikim është e mirë për shëndetin demokratik të vendit, por nuk janë në pozitë të imponojnë asgjë.”
Por, në këtë rast, ata janë në pozitë të tërheqin vëmendje të madhe ndërkombëtare, kryesisht për shkak të faktorit Trump. Dhëndri i presidentit të SHBA-së, Jared Kushner, qëndron pas propozimeve për dy projekte rezortesh në bregdetin shqiptar – në Zvërnec, afër qytetit të Vlorës, dhe në ishullin e Sazanit.
Qeveria i ka dhënë Kushner-it statusin e “investitorit strategjik”, duke e lejuar atë të zhvillojë akomodime luksoze në një zonë që supozohet të jetë nën mbrojtje mjedisore. Ato plane kanë nxitur shqetësime vendase që kur u bënë publike dy vjet më parë. Më pas, në maj, protestat morën hov kur rojet e sigurisë në një nga kantieret dhunuan një banor vendas ndërsa policia qëndronte mënjanë. Videoja e incidentit u bë virale dhe nxiti një shpërthim zemërimi që u përhap nga bregdeti në kryeqytet.
Rama është i irrituar nga kjo kthesë ngjarjesh. Ai e karakterizon Kushner-in si një investitor që është “respektues ndaj vendit tonë” dhe dëshiron të bëjë “gjithçka sipas rregullave”. Ai gjithashtu e përshkruan sulmin ndaj protestuesit si një “episod të papranueshëm”, për të cilin zyrtarët po mbahen tashmë përgjegjës. Mbi të gjitha, ai hedh poshtë ankesën kryesore të protestuesve – se toka shqiptare po u shitet të pasurve të huaj, me pak dobi për vendasit në atë që mbetet një nga vendet më të varfra të Evropës.
Turizmi përbën rreth një të katërtën e PBB-së së Shqipërisë, por kryeministri këmbëngul se vendi duhet të kalojë përtej modelit aktual. “Turizmi masiv ka qenë një forcë e jashtëzakonshme për të përhapur fjalën për këtë vend, por nuk është i qëndrueshëm për natyrën, ajrin, ujin,” thotë ai. “Stresi (dëmi) që i sjell vendit nuk ia vlen. Nuk po me thënë se duhet ta ndalim, por na nevojitet një balancë. Na nevojitet turizëm elitar: më pak turistë, por më shumë para.”
Duke parë Rivierën Shqiptare, arsyetimi i Ramës duket i besueshëm. Një rrugë me një kalim me trafik të ngarkuar ndan plazhin, me rreshta çadrash dhe shezlongësh që u përkasin hoteleve dhe apartamenteve të pushimeve përballë. Disa prej tyre janë ndërtuar vetëm së fundmi, si përgjigje ndaj numrit në rritje të turistëve pas pandemisë. Të tjerat janë ende në ndërtim e sipër. Edhe para fillimit të pikut të sezonit turistik, po fillon të ndihet një ngarkesë e pakëndshme.
Në barin e Regina Palm Resort ndodhet Vasil Bedinaj. Grupi i tij Regina zotëron katër hotele në Vlorë dhe rreth saj dhe ai dëshiron të zgjerohet. Por ai po mendon për mençurinë e të bërit këtë nëse turizmi shqiptar nuk evoluon. Ai beson se projektet e Kushner-it mund të shërbejnë si një shembull për t’u ndjekur nga të tjerët. “Ne nuk kemi ende përvojë për këtë lloj biznesi dhe, për të mësuar, duhet të kesh më të mirët rreth teje,” thotë ai. “Dhe duhet të kesh marka. Ata do të sjellin punëtorë profesionistë. Dhe kur ta bëjnë këtë, unë mund të mësoj prej tyre.”
Të tjerët janë më pak optimistë. Në Galerinë e Bregdetit, një ekspozitë e artistit Driton Selmani hulumton marrëdhënien e Shqipërisë me turizmin përmes një sërë veprash që përfshijnë gjithçka, nga mozaikët deri te muti i shpendëve. Themeluesi dhe kuratori Elian Stefa e përshkruan këtë si “një mënyrë me humor e ngacmuese për të pasqyruar këto transformime që po ndodhin këtu”. Ai e drejton galerinë që nga viti 2018 dhe nuk është i bindur se zhvillimet me para të mëdha do të sjellin përfitime kuptimplota për vendasit. “Pyetja është për qasjen dhe llogaridhënien. Kush do të jetë në gjendje t’i shijojë ato dhe të profitojë prej tyre?”
Banori i Vlorës, Baki Goxhaj, dëshiron që brezi bregdetar rreth lagunës së Nartës të mbetet një strehë për flamingot dhe shpendët e tjerë. Ai ka protestuar si në Vlorë ashtu edhe në Tiranë. “Plazhet publike mbrohen me ligj dhe nuk mund të privatizohen, por ata në thelb rrethuan 7 km për të bërë një plazh privat,” thotë ai. “Kemi gjithashtu ligjin për zonat e mbrojtura. E ndryshuan atë për të lejuar vetëm investime luksoze. Kështu që kjo është vetëm për njerëz specialë.”
Ndjenja të ngjashme janë të zakonshme në Tiranë, ku njerëzit kanë parë kulla luksoze të mbijnë në të gjithë qytetin, por nuk i kanë ndier përfitimet. Keit Zaloshnja është asistente ekzekutive në Vila 31, një rezidencë artistësh ku diktatori Enver Hoxha dikur jetonte në një lloj luksi që do të kishte tronditur mendjet e qytetarëve shqiptarë gjatë sundimit të tij. Ajo sheh një lloj tjetër hendeku pasurie që po shfaqet. “Investitorët e paraqesin Shqipërinë si një xhirë të fshehur, kështu që duan ta bëjnë të bukur dhe të përdorin të gjitha burimet,” thotë ajo. “Kjo duket pak si koloniale. Duhet të ketë më shumë transparencë dhe dialog me publikun.”
Protestuesit jashtë zyrës së kryeministrit nuk po kërkojnë vetëm anulimin e projektit të Zvërnecit. Ata gjithashtu thërrasin për nevojën e përmirësimit të shkollave, spitaleve dhe standardeve të jetesës. “Unë po mbaj shënime,” thotë Rama. “Armiqtë e tu mund të të thonë gjëra që janë më të dobishme se ato që të thonë miqtë e tu.” Me këtë, ai e udhëzon fotografin e Monocle të “dali jashtë” dhe i kthehet letrave të mbuluara me shgarravitje mbi tryezën e tij. Rama ka pretenduar se vizatimi e ndihmon atë të përqendrohet. Kjo verë e gjatë dhe e nxehtë nuk tregon asnjë shenjë ftohjeje. Mund t’i duhet të porosisë disa stilolapsa shtesë./Marrë nga revista ndërkombëtare me bazë në Londër, “Monocle”









