Partia Socialiste është shprehur e gatshme të ndërmarrë ndryshime në Kushtetutë me qëllim heqjen e kufizimit ligjor që ndalon rizgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme pas përfundimit të mandatit të tyre 9-vjeçar.
Gjatë diskutimit të raportit vjetor të SPAK në Komisionin e Ligjeve, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, mbështeti zyrtarisht shqetësimin e ngritur nga drejtuesi i këtij institucioni, Klodian Braho.
Kreu i SPAK paralajmëroi se mungesa e një zgjidhjeje ligjore për statusin e prokurorëve rrezikon të cenojë vijimësinë e hetimeve komplekse dhe të humbasë eksperiencën e specializuar të krijuar brenda strukturës.
Manja deklaroi se përkohshmëria e mandateve cenon cilësinë e hetimeve dhe i bëri thirrje opozitës të bashkojë votat për ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, prokurorët që dëshirojnë një mandat të dytë duhet t’i nënshtrohen sërish procesit të vlerësimit.
Por deputetët e PD, Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri u rreshtuan kundër këtij propozimi. Ata argumentuan se ligji aktual është miratuar me konsensus të plotë dhe se nuk ka asnjë arsye legjitime për të ndryshuar rregullat e mandatit të prokurorëve të SPAK.
Për realizimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese do të kërkohet sërish një konsensus i gjerë politik në Kuvend, i ngjashëm me votimin e reformës fillestare në drejtësi që u miratuar me 140 vota.
Pjese nga diskutimi
Manja: SPAK është organ kushtetues, ka jetëgjatësi si institucion. Pasi prokurorët akumulojnë gjithë këtë eksperiencë, i thuhet të largohen dhe nuk u lejohet të rikandidojë. Kush dëshiron të rikandidojë, duhet t’i shtrohet një procesi vlerësimi për tu rizgjedhur. Ndaj unë u kërkoj edhe kolegëve të opozitës, sepse kjo kërkon edhe inciativë politike. Ka kushtëzime edhe sa i përket privatësisë suaj. Personalisht ndaj këtë mendim, ju duhet të keni të drejtën të kandidoni për një mandat të dytë në KLP si të gjithë prokurorët e tjerë të sistemit. Përkohshmëria e prokurorëve e cënon cilësinë e hetimit. Bashkojmë votat, ndryshojmë kushtetutën dhe të heqim kufizimin për mandatin. Bashkë e kemi votuar ligjin aktual, 140 vota. Ti thua jam kundër zgjatjes së mandatit.
Bylykbashi: Ka qenë një deputet këtu që e votoj me sy mbyllur, edhe ti e ke votuar me sy mbyllur këtë ligj.
Manja: Ti ke votuar me sy mbyllur ligjin e dekriminalizimit. Shkruajte nesër në mëngjes, pasi na mblodhe në darke. Të duket i varur institucioni i SPAK.
Strazimiri: Ju thoni mbaroi mandati dhe për shkak të dosjeve që kanë mbetur të ndryshojmë kushtetutën.
Manja: E drejta për të rikandiduar është e drejtë kushtetuese.
Bylykbashi: Ligji aktual nuk thotë kështu.
Bylykbashi: Komisioni i Venecias ka thënë ndryshe.
Manja: Po, por Komisioni i Venecias sugjerime jep. Gjërat nuk janë të shkruara në gur dhe nuk ndryshojnë.
Bylykbashi: Unë kam ndenjur shumë ditë pa gjumë për atë ligj.
Manja: Ishte i nevojshëm ky debat, sepse doja të kuptoja qasjen e këtyre, sepse pas kamerave shprehen ndryshe.









