Pse u vetëvra ish-kreu i Policisë italiane, Gianni De Gennaro?

Facebook
WhatsApp

Avokati i tij tha se De Gennaro nuk e përballoi dot presionin publik që po i bëhej, pas nisjes së hetimeve lidhur me masakrën e “Via D’Amelio”.

Ish-kreu i Policisë italiane, Gianni De Gennaro, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë me armë zjarri. Sipas asaj që mësohet nga burime zyrtare, 78-vjeçari është vetëvrarë në shtëpinë e tij të pushimit në Toskanë.

Sipas mediave italiane, De Gennaro ishte tronditur rëndë nga hetimi i Prokurorisë së Caltanissetta-s lidhur me masakrën e “Via D’Amelio” (ku u vra gjyqtari Paolo Borsellino), çështje në të cilën ai ishte nën hetim për devijim të hetimeve. Më 1 dhjetor, Gjykata e Apelit pritej të shprehej mbi kërkesën për arrestimin e tij, e cila fillimisht ishte refuzuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake.

Hetuesit po punojnë për rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes. Sipas të dhënave të para, De Gennaro ndodhej i vetëm në banesë. Alarmi u ngrit nga familjarët e tij, të shqetësuar pasi nuk kishin asnjë lajm prej tij që prej mbrëmjes së të premtes, 20 nëntor. Rreth orës 09:00 të mëngjesit, punonjësit e mirëmbajtjes së vilës kanë lajmëruar karabinierët.

Më pas, në orën 09:38, vetë efektivët e policisë kanë njoftuar urgjencën mjekësore (118) për të konstatuar vdekjen. De Gennaro kishte ndërruar jetë menjëherë. Në vendngjarje mbërritën mjeku ligjor i caktuar nga Prokuroria e Grosseto-s, prokurori i çështjes, si dhe ekspertët e policisë shkencore (RIS) për të kryer këqyrjen e banesës.

De Gennaro ishte nën hetim nga Prokuroria e Caltanissetta-s për devijim të hetimeve në kuadër të dosjes për masakrën e “Via D’Amelio” dhe zhdukjen e “axhendës së kuqe” të gjyqtarit të ndjerë Paolo Borsellino. Ditët e fundit, magjistratët i kishin komunikuar zyrtarisht marrjen si të pandehur dhe kishin urdhëruar kontrolle në disa ambiente në pronësi të tij.

Konkretisht, njësia speciale e karabinierëve (ROS) kishte ekzekutuar gjashtë urdhër-kontrolle në provincën e Romës. Përveç De Gennaro-s, nën hetim dhe kontroll ishin vënë edhe bashkëpunëtori i drejtësisë Salvatore Contorno, zyrtarja e shërbimeve inteligjente (DIS) Donatella Peruzzi, truproja Massimo Carnicelli dhe ish-inspektori i policisë Francesco Pacetto.

Sipas hipotezës së prokurorisë, De Gennaro, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij, kishte vepruar për të penguar të penduarin e drejtësisë Contorno që të jepte deklarata para prokurorëve, si dhe kishte fshehur dokumente të rëndësishme që lidheshin me arrestimin e tij në vitin 1989 në Siçili. Hetimi synonte të zbulonte përgjegjësitë e zyrtarëve të lartë të shtetit në devijimin e hetimeve për vrasjen e Borsellino-s.

I tronditur nga lajmi, avokati i tij, Francesco Bertorotta, i cili e mbronte së bashku me profesorin e njohur Franco Coppi, fajësoi presionin publik dhe akuzat ndaj klientit të tij: “Jam i shokuar, i shkatërruar. Këto janë pasojat e akuzave shpifëse që hidhen si ushqim për opinionin publik. E njihja Gianni De Gennaro-n prej 15 vitesh; para marrëdhënies profesionale kishim një miqësi të fortë.”

Ndërkohë, vëllai i gjyqtarit të vrarë, Salvatore Borsellino, reagoi ashpër ndaj prokurorëve duke i cilësuar ata si “përgjegjës për shtytje drejt vetëvrasjes”, ndërsa kryeministrja Giorgia Meloni u shpreh “thellësisht e tronditur nga kjo ndarje tragjike nga jeta”.

I lindur në Reggio Calabria, Gianni De Gennaro u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare. Pas diplomimit për drejtësi në Universitetin “La Sapienza”, ai iu bashkua Policisë së Shtetit në vitin 1973.

Për 11 vite punoi krah për krah me gjyqtarin legjendar Giovanni Falcone në hetimet kundër mafias. Ai drejtoi Drejtorinë e Hetimit Antimafia (DIA) dhe në vitin 2000 u emërua kreu i Policisë italiane, post të cilin e mbajti për shtatë vjet. Më pas drejtoi Shërbimin Informativ (DIS), mbajti poste të larta institucionale dhe ishte president i gjigantit të mbrojtjes “Leonardo”, i “Banca Popolare di Bari”, si dhe i shoqërisë “Eurolink”, e angazhuar në projektin e ndërtimit të urës mbi ngushticën e Mesinës.

Hetimet për vrasjen e Borsellinos janë shoqëruar prej vitesh me dyshime për manipulim të provave dhe devijim të drejtësisë. Në fazën e parë të çështjes, bashkëpunëtori i drejtësisë Vincenzo Scarantino pranoi përgjegjësinë për vjedhjen e automjetit Fiat 126, i cili u përdor në atentat.

Më vonë ai tërhoqi akuzat ndaj personave të tjerë të përfshirë, duke ngritur dyshime të forta mbi mënyrën se si ishin zhvilluar hetimet.

Çështja çoi në hetime ndaj grupit hetimor të asaj kohe dhe në vitin 2024 u shpall parashkrimi për veprat penale që u atribuoheshin tre drejtuesve të lartë të policisë.

Tashmë, prokurorët po përpiqen të zbardhin rolin e personave të përfshirë në hetimet e dikurshme dhe mbi të gjitha, të zbulojnë se çfarë ndodhi me “agjendën e kuqe” të Paolo Borsellinos.

Kujtojmë se një shqiptar dyshohet se ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Toto Riinës, kreut të mafias italiane Cosa Nostra për dekada, në njërën prej vrasjeve më të rënda mafioze në historinë e Italisë. Ai është ende i paidentifikuar.

Mediat italiane publikuan disa përgjime të reja në lidhje me vrasjet mafioze të ndodhura në Palermo në vitet ’80 dhe ’90 të urdhëruara nga kryemafiozi famëkeq Toto Riina.

Prestigjiozja “Il Fatto Quotidiano” shkruante asokohe se, një prej përgjimeve të famshme të Riinës në burg ku ai flet për një shqiptar.

“Si ai që erdhi vetëm nga Shqipëria… gjeje po deshe një ekspert si ky…”, shprehej Toto Rina në përgjime.

Përgjimet e publikuara janë realizuar në vitin 2013 kur Riina ishte në burg, por ende është e paqartë se për cilën vrasje të organizuar nga Cosa Nostra bëhet fjalë, për atë të Paolo Borsellinos në vitin 1992 apo magjistratit tjetër Rocco Chinnici në vitin 1983.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick