“Moska është Roma e Tretë. Nuk do të ketë një të Katërt,” kështu ka deklaruar presidenti rus Vladimir Putin, duke e përshkruar qytetërimin rus si një “arkë” për të krishterët që kërkojnë shpëtim.
Në një deklaratë tjetër gjatë një interviste me regjisorin serb Emir Kusturica, ai pretendon se qytetërimi rus “nuk ka pushtuar kurrë askënd”, ndonëse aktualisht vendi i tij është duke mbajtur nën pushtim një sipërfaqe të madhe të territorit ukrainas.
“Krishterimi filloi në Romë dhe u përhap drejt pjesëve lindore të botës. Kur Perandoria e lashtë Romake u shemb, Krishterimi vazhdoi të mbijetonte dhe të përhapej.
Moska është tashmë Roma e Tretë dhe nuk do të ketë kurrë një Romë të Katërt. Trashëgimia shpirtërore dhe historike e Krishterimit është zhvendosur drejt lindjes, ndërsa Moska qëndron në qendër të kësaj trashëgimie. Roma ishte fillimi, por historia ka ecur përpara. Moska është Roma e fundit”, tha ndër të tjera Putin.
Më tej, Putin u ka bërë thirrje ukrainasve që të kalojnë “në anën e rusëve”, duke thënë se kjo është ana “e përbashkët” dhe “e drejtë” e historisë.
“Nëse flasim për ukrainasit, do të doja që ata ta dëgjonin këtë: Çfarëdo që të ndodhë, çfarëdo tragjedie që të shpaloset sot, ne duhet të mendojmë për të ardhmen… dhe të kuptojmë se, nëse duam të jemi të fortë, të kemi ndikim dhe hapësirë për t’u zhvilluar, atëherë, natyrisht, duhet të qëndrojmë së bashku. Me këtë dua të them se duhet të punojmë së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta.
Ja çfarë do të doja të thoja: Ejani në anën tonë. Është edhe ana juaj. Ejani në anën e përbashkët, në anën e drejtë të historisë”, deklaroi ai.









