Qeveria përgatit forcimin e ligjit për protestat, zgjedh modelin italian

Facebook
WhatsApp

Në një video-deklaratë, Demo theksoi se e drejta për të protestuar mbrohet nga Kushtetuta, por ajo nuk mund të shërbejë si justifikim për sulmet ndaj punonjësve të Policisë apo dëmtimin e pronës publike dhe private.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaron se qeveria po shqyrton përvojën e Italisë dhe vendeve të tjera evropiane për forcimin e sigurisë publike. Në qendër të diskutimit janë parandalimi i dhunës në protesta, mbrojtja e punonjësve të Policisë dhe ndryshimet e mundshme në kuadrin ligjor…

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka sinjalizuar mundësinë e ndryshimeve ligjore që lidhen me sigurinë publike dhe parandalimin e dhunës gjatë protestave, duke iu referuar masave që po zhvillojnë Italia dhe vende të tjera evropiane.

Në një video-deklaratë, Demo theksoi se e drejta për të protestuar mbrohet nga Kushtetuta, por ajo nuk mund të shërbejë si justifikim për sulmet ndaj punonjësve të Policisë apo dëmtimin e pronës publike dhe private.

“E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese që do ta respektojmë dhe garantojmë gjithmonë. Por kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën, sulmet ndaj punonjësve të Policisë apo shkatërrimin e pronës publike dhe private”, deklaroi ministri.

Demo bëri të ditur se gjatë takimeve me homologë nga vende të ndryshme evropiane ka diskutuar për sfidat e sigurisë publike, parandalimin e dhunës dhe instrumentet që institucionet mund të përdorin për përballimin e këtyre situatave.

Sipas tij, Shqipëria po shqyrton përvojat evropiane, veçanërisht ato të Italisë, me synimin për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe për të forcuar kapacitetet e institucioneve përgjegjëse për rendin dhe sigurinë.

Megjithatë, ministri nuk specifikoi se cilat dispozita ligjore mund të ndryshojnë, nëse qeveria po përgatit një projektligj konkret apo nëse masat e reja do të prekin drejtpërdrejt organizimin dhe zhvillimin e protestave.

Ministri këmbënguli se liria e protestës dhe siguria e qytetarëve nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.

“Detyra jonë është t’i garantojmë të dyja, me vendosmëri, proporcionalitet dhe respekt të plotë për ligjin”, deklaroi Demo.

Për momentin, Ministria e Brendshme ka njoftuar vetëm shqyrtimin e përvojave evropiane. Përmbajtja e ndryshimeve të mundshme dhe ndikimi i tyre mbi ushtrimin e së drejtës kushtetuese të protestës mbeten të paqartë.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick