Gjatë një takimi prezantues në lidhje me këtë nisëm, kryeministri deklaroi se objektivi është që bizneset e vogla të rriten në të mesme, ndërsa ato të mesmet të kalojnë në nivelin e sipërmarrjeve të mëdha.
Qeveria shqiptare ka nisur zyrtarisht zbatimin e programit kombëtar “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, një iniciativë që synon të mbështesë rritjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend.
Gjatë eventit prezantues, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se paketa e mbështetjes financiare, në bashkëpunim me sektorin bankar, është e gatshme të arrijë deri në vlerën e 1 miliard eurove.
Kryeministri nuk ka kursyer edhe një mesazh drejtuar bankave të nivelit të dytë, duke u kërkuar të dalin nga “zona e komfortit” dhe të kontribuojnë më shumë në ekonominë reale. Ai vlerësoi rolin e Bankës së Shqipërisë dhe kërkoi angazhim të vazhdueshëm nga Guvernatori për të mbajtur nën presion pozitiv bankat private.
“Nga ky program bankat nuk dalin me humbje, por as me ndonjë fitim të madh të çastit. Këtu do të kenë një fitim modest, por fitimi afatgjatë do të jetë i konsiderueshëm, sepse synojmë të dyfishojmë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme,” u shpreh ai.
Gjatë fjalës së tij, Rama komentoi edhe reagimet e qytetarëve lidhur me përdorimin e fondeve publike dhe perceptimin e zhvillimit ekonomik, duke theksuar se rritja e pritshmërive është një shenjë progresit të një shoqërie.
Duke iu përgjigjur komenteve të tipit “me lekët tona po i bëni, mos bëni sikur…”, Kryeministri deklaroi: “Të gjithë bëjnë detyrën, por problemi është kush e bën më mirë dhe kush më keq. Ka qeveri që me lekët tona bëjnë punë të mira, ka qeveri që nuk bëjnë asnjë punë, ose bëjnë punë të këqija.”
Ai shtoi se sa më pozitive të jenë shifrat e ekonomisë, aq më shumë rritet kërkesa e njerëzve për rezultate të menjëhershme. “Raportin e besimit e krijojnë pritshmëritë, jo arritjet. Pritshmëritë në terrenin e punës dhe sipërmarrjes ne kemi detyrë t’i adresojmë me më shumë instrumente si kjo nismë,” tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, bizneset që paraqesin një plan solid biznesi do të kenë mundësi të përfitojnë financime deri në 2 milionë euro, me norma mjaft preferenciale interesi, prej 2% deri në 3%.
Një nga risitë e këtij programi është angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Tiranë. Ky grup ekspertësh do të asistojë drejtpërdrejt ato sipërmarrje që kanë ide inovative, por që u mungon kapaciteti teknik për t’i përkthyer ato në plane biznesi bindëse për bankat.









