Kryeministri Edi Rama është distancuar nga drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, pas masës së sigurisë “arrest në shtëpi” të caktuar ndaj saj. Nga Nju Jorku, Rama deklaroi se qeveria nuk do të hyjë në meritën e çështjes dhe nuk do t’i bëjë “avokatinë” askujt që përballet me drejtësinë, ndërsa njoftoi lirimin e menjëhershëm të Hysenit nga detyra dhe nisjen e procedurave për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SHISH.
Kryeministri Edi Rama ka “larë duart” me drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, pas masës së sigurisë “arrest në shtëpi” të caktuar ndaj saj.
Edhe pse ishte ai që na i bëri peshqesh, ashtu si me shumë ministra dhe njerëz pranë tij, edhe në këtë rast Rama është distancuar, ndonëse Vlora Hyseni është përgjegjësi e tij peronale. Ishte ai që e solli nga Kosova dhe e vendosi në krye të SHISH.
Në reagimin e tij nga Nju Jorku, ku ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kreu i qeverisë shprehet se nuk do të ndërhyjë në çështjen e hapur nga organet e drejtësisë dhe se Hyseni do të largohet menjëherë nga drejtimi i SHISH.
Rama tha se është informuar për masën e kërkuar nga SPAK dhe theksoi se pret që dyshimet e ngritura ndaj drejtueses së SHISH të hetohen deri në fund nga organet e drejtësisë.
“Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor. Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik”, deklaroi Rama.
Kryeministri kritikoi njëkohësisht mënyrën se si çështjet penale ndaj zyrtarëve publikë trajtohen në debatin politik dhe mediatik, duke kërkuar respektimin e prezumimit të pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
“Është e pashmangshme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur ‘litarin’ si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj. E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur”, u shpreh kryeministri.
Siç pritej, Rama nuk mori asnjë përgjegjësi, duke thënë se përgjegjësia penale është individuale dhe se mazhoranca nuk do të marrë përsipër mbrojtjen e bashkëpunëtorëve të saj përballë drejtësisë.
“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi: Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës”, tha Rama.
Ashtu si me shumë figura të tjera të qeverisë që kanë hesape me drejtësinë, Rama tha se shumica që ai drejton nuk do të hyjë në përmbajtjen e dosjes dhe nuk do të marrë rolin e mbrojtësit të Hysenit apo të ndonjë zyrtari tjetër që përballet me organet e drejtësisë.
“Kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë. Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, deklaroi Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen pasi GJKKO, me kërkesë të SPAK, caktoi ndaj Vlora Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrës. Sipas raportimeve të deritanishme, masa nuk është ekzekutuar ende pasi Hyseni ndodhet jashtë Shqipërisë.
Hetimi raportohet se lidhet me zhvillimet e reja të dosjes së AKSHI-t dhe hetimet ndaj biznesmenit Ergys Agasi. Hyseni dyshohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete shtetërore”.









