Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste do të mblidhet më 14 nëntor, në orën 10:30, në një resort në Gjirin e Lalzit. Mbledhja vjen pas përplasjes publike mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, ndërsa socialistët presin që kryeministri të flasë për kandidatët e zgjedhjeve vendore, situatën brenda partisë dhe ndryshimet e mundshme në qeveri.
Kryeministri Edi Rama ka vendosur ta mbledhë Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste jashtë Tiranës. Takimi do të zhvillohet të shtunën, më 14 nëntor, në një resort në Gjirin e Lalzit, duke nisur nga ora 10:30.
Asambleja zhvillohet në një moment delikat për marrëdhëniet brenda mazhorancës, veçanërisht pas përplasjeve të fundit mes Edi Ramës dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Konflikti mes tyre ka nxjerrë në sipërfaqe pakënaqësi brenda radhëve socialiste, ndërsa akuzat publike të Veliajt ndaj kryeministrit kanë hapur një debat për marrëdhëniet dhe vendimmarrjen brenda PS-së.
Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, ka akuzuar Ramën se ka urdhëruar transferimin e tij në burgun e Fierit. Sipas kryebashkiakut, përmes deputetit Toni Gogu i janë përcjellë kërkesa për të pranuar përfshirjen në protesta, dorëheqjen nga Bashkia e Tiranës dhe përfaqësimin ligjor nga Plarent Ndreca.
Pikërisht për këtë çështje, socialistët presin të dëgjojnë qëndrimin publik të Edi Ramës, pas kursit të hapur të përplasjes që Veliaj ka zgjedhur ndaj tij.
overlay-clevercloseLogo
Ndërkohë nga ana tjetër, Partia Socialiste po përgatitet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 dhe krahas mobilizimit të strukturave, pritet që Rama të shpalosë mënyrën se si do të përzgjidhen kandidatët socialistë për kryetarë bashkish.
Vëmendja kryesore do të jetë te Tirana, bashkia më e madhe në vend, ku situata e krijuar me Erion Veliajn ka shtuar pikëpyetjet për kandidaturën e ardhshme të socialistëve.
Mbetet për t’u parë nëse Rama do të japë sinjale konkrete për profilin e kandidatit që synon të propozojë për kryeqytetin.
Një tjetër çështje lidhet me mocionin e Elisa Spiropalit, përmes të cilit ajo i kërkon Edi Ramës hapjen e Partisë Socialiste dhe adreson nevojën për një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”.
Ndërkohë, mbledhja mund të shërbejë edhe për të dhënë sinjale mbi ndryshime të mundshme në kabinetin qeveritar.
Në shtator të vitit 2023, Edi Rama përdori pikërisht Asamblenë Kombëtare të PS-së për të shpallur ndryshimin e gjysmës së kabinetit të tij. Ky precedent e mban të hapur mundësinë që edhe takimi i 14 nëntorit të shoqërohet me vendime për përbërjen e qeverisë së tij të katërt.
Deri tani, kryeministri nuk ka konfirmuar ndonjë lëvizje konkrete në kabinet. Megjithatë, mbledhja zhvillohet në një periudhë kur qeveria po përballet me pakënaqësi të shprehura përmes protestave, për të cilat Rama ka deklaruar se i ka marrë në konsideratë shqetësimet dhe po punon për adresimin e tyre.
Në rendin e çështjeve politike është edhe procesi i integrimit europian, pas publikimit të progresraportit të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe zhvillimeve në negociatat e anëtarësimit.
Mbetet për t’u parë se cilat prej tyre Edi Rama do të zgjedhë t’i trajtojë publikisht dhe cilat do t’i lërë jashtë diskutimit të Asamblesë.









