Sipas ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, pagesa nuk rëndon mbi buxhetin e shtetit, por mbulohet nga Partia Socialiste.
Pas akuzave nga opozita, ka reaguar edhe qeveria për makinën e re luksoze që përdor kryeministri Edi Rama.
Sipas ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, kryeministri lëviz me një automjet të marrë me qira, ndërsa pagesa nuk rëndon mbi buxhetin e shtetit, por mbulohet nga Partia Socialiste.
Sqarimi u dha nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, pas mbledhjes së qeverisë, ku u pyet për automjetin e ri të Kryeministrit.
Ismaili tha se makina përdoret si për aktivitetet zyrtare të Ramës, ashtu edhe për angazhimet e tij si kryetar i Partisë Socialiste. Për këtë arsye, sipas saj, edhe kostoja e qirasë mbulohet nga fondet e partisë.
“Makina e kryeministrit është me qira, paguhet nga buxheti i Partisë Socialiste”, deklaroi ministrja.
Por përdorimi i automjetit nuk lidhet vetëm me aktivitetet e Kryeministrit. Ismaili tha se zgjedhja e makinës është bërë edhe për arsye sigurie, duke iu referuar kërkesave të Gardës së Republikës.
“Makina që përdor, përdoret edhe për aktivitetin e tij partiak, sa përket cilësimeve të makinave, ato janë edhe për çështje sigurie të cilat janë të orientuara edhe nga garda bazuar në sigurinë që kryeministri duhet të ketë”, tha Ismaili.
Makina mban targën AC 753 ZN dhe nga specifikat e modelit, përputhet me Mercedes-Benz S 350 d 4MATIC, versioni hyrës me motor nafte të gamës së re të S-Class, siç duket në videon më poshtë:
Me një verifikim të thjeshtë dallohet automjeti që Mercedes-Benz e ka nxjerrë në porosi më 30 janar 2026.
Çmimi zyrtar fillestar në Gjermani për S 350 d 4MATIC është 121,356.20 euro, përfshirë 19% TVSH, pa përfshirë kostot e dorëzimit.
Ky është modeli më i fundit i një prej linjave që Mercedes-Benz e përdor si vitrinën e teknologjisë dhe luksit të vet.









