Gjatë muajit qershor opozita ka pasur 63.95% të kohës së transmetimit në edicionet kryesore të lajmeve, ndërsa Partia Socialiste 36.05%. Kryeministri pretendon se këto shifra rrëzojnë akuzat se Shqipëria është një “regjim”.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të monitorimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për muajin qershor, sipas të cilit opozita ka pasur më shumë hapësirë mediatike se Partia Socialiste në edicionet kryesore informative.
Sipas të dhënave të AMA-s, gjatë muajit qershor partitë politike patën në dispozicion 402.47 minuta mbulim në edicionet kryesore të lajmeve. Nga kjo kohë transmetimi, Partia Socialiste zuri 36.05% të hapësirës mediatike, ndërsa opozita në tërësi 63.95%.
Por postimi i kreut të qeverisë nuk u ndal te publikimi i statistikave. Ai sulmoi me një gjuhë fyese mediat dhe kundërshtarët e tij, duke i quajtur “sorra dhe korba politike e mediatike”, “dështakzemërakë” dhe duke folur për “mjerim intelektual” të atyre që, sipas tij, e cilësojnë Shqipërinë si regjim.
Duke iu referuar këtyre shifrave, Rama tha se ato janë “fakte kokëforta të bazuara në matje dhe jo në perceptime”, të cilat, sipas tij, tregojnë se Shqipëria “nuk ka asnjë lidhje me autokracitë apo me kinse regjimet”.
“Këto dy pasqyra, të cilat vijojnë të tregojnë me fakte kokëforta të bazuara në matje, jo në perceptime, se Shqipëria nuk ka asnjë lidhje me autokracitë e me kinse regjimet – ku sorrat dhe korbat politike e mediatike e fusin përditë e përnatë me krrakrratë e tyre – vendosa t’i postoj vetëm si pasqyra të mjerimit intelektual të dështakzemërakëve, të cilët i kërkojnë papushim kudo (e sidomos te unë) arsyet pse ‘regjimi’ nuk përmbyset, përveçse aty ku arsyeja është: te mjerimi i tyre që sheh regjim se s’di këndim të Shqipërisë“, shkroi Rama.









