Kryeministri deklaroi se ky ligj synon t’u krijojë mundësi personave që kanë trashëguar prona në zonat malore, por që nuk disponojnë dokumentacionin e nevojshëm, për të zhvilluar aktivitete ekonomike.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për Paketën e Maleve, një nga ligjet që po kundërshtohet në protestat që prej 52 ditësh zhvillohen në Tiranë.
Në një komunikim në Facebook, Rama tha se ka keqkuptime lidhur me përmbajtjen e ligjit dhe u bëri thirrje qytetarëve të njihen me dispozitat e tij.
Sipas kryeministrit, në disa zona të vendit, veçanërisht në veri, pronësia mbi tokën është administruar ndër vite sipas ndarjeve të bëra nga komunitetet, për shkak se ligji për ndarjen e tokës nuk është zbatuar ose pranuar plotësisht.
Rama deklaroi se Paketa e Maleve synon t’u krijojë mundësi personave që kanë trashëguar prona në zonat malore, por që nuk disponojnë dokumentacionin e nevojshëm, për të zhvilluar aktivitete ekonomike.
Ai tha se, në raste të tilla, pronarët e pemëtoreve ose tokave të mirëmbajtura mund të pajisen me leje për aktivitete agro-përpunimi. Sipas tij, interes për të investuar në këto zona kanë shprehur edhe emigrantë shqiptarë që zotërojnë prona të trashëguara.
“Përshëndetje të gjithëve për në Theth, për paketën e maleve. Çfarë kanë me paketën e maleve? A e dinë vallë se çfarë ka ligji? E kanë kuptuar arsyet se pse lindi paketa e palëve?! E thashë në mënyrë të drejtpërdrejtë, doja të ndaja disa informacione. Nuk e di sa janë të informuar ata që malet i shohin nga qyteti, politikën e gjykojnë nga kafeneja. Në Shqipëri ka disa territore, në mënyrë të posaçme në veriun e vendit, ku banorët, komunitetet nuk e kanë njohur, pranuar ligjin e ndarjes së tokës. Për këtë arsye, ata kanë ndarë tokën mes veti, sepse “1501-i), nuk kanë ndarë se çfarë kanë pasur në të shkuarën.
Malet po hapen për ata që në male kanë trashëguar një pronë. Këtu jemi në kushtet kur njerëz që kanë një pemëtore që e mirëmbajnë dhe për të cilën kanë pamundësi që të kenë letrat, mund të pajisen me një leje për të bërë një agro-përpunim. Në kushtet ku mijëra emigrantë kanë shprehur interes sepse duan të investojmë.
Paketa e maleve është një politikë për njerëzit, për të drejtën e pronës, që i shkon për shtat atyre që për shumë vite nuk kanë mundur të kthejnë pronën e tyre në një aset”, tha Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë prej 52 ditësh. Mes kërkesave të protestuesve janë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, si edhe shfuqizimi i disa ligjeve, përfshirë Paketën e Maleve dhe ligjin për Investimet Strategjike.









