Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur ashpër deklaratave të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane lidhur me protestat për projektin në Zvërnec. Ai akuzon qeverinë e Teheranit për ndërhyrje, propagandë dhe përpjekje për të politizuar një kauzë mjedisore.
Një përplasje e fortë diplomatike ka shpërthyer këtë të mërkurë mes Tiranës dhe Teheranit, pasi Kryeministri Edi Rama reagoi publikisht ndaj një postimi të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, në rrjetin social X.
Ky i fundit kishte shpërndarë pamje nga protesta kundër projektit të Zvërnecit, duke cituar edhe parulla në gjuhën shqipe si “Jo korrupsionit”, “Duam drejtësi” dhe “Rama ik”.
Rama e cilësoi këtë reagim si ndërhyrje të papranueshme në çështjet e brendshme të Shqipërisë, duke deklaruar se “qeveria e ajatallohëve i është bashkuar zyrtarisht protestës”. Sipas tij, përfshirja e Teheranit tregon përpjekje për të shfrytëzuar një protestë që fillimisht kishte karakter mjedisor, por që më pas, siç u shpreh ai, u devijua në thirrje politike për rrëzimin e qeverisë.
Kreu i qeverisë theksoi se reagimin e bën edhe në emër të atyre qytetarëve që, sipas tij, vijojnë të protestojnë për mbrojtjen e natyrës dhe jo për interesa të aktorëve të jashtëm apo për luftëra hibride informative. Ai paralajmëroi se përhapja e lajmeve të rreme dhe përdorimi i videove të manipuluara synojnë të dëmtojnë imazhin e vendit dhe klimën e investimeve.
“Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh”, shkroi Rama, duke shtuar se destabilizimi i klimës politike mund të ndikojë negativisht në tërheqjen e investitorëve të huaj dhe në zhvillimin e turizmit.
Në një ton të ashpër, Rama deklaroi se Shqipëria nuk mund të marrë leksione për demokracinë nga një regjim që, sipas tij, shtyp liritë e qytetarëve dhe është përfshirë në sulme kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, çka çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Nga ana tjetër, Baqaei i kërkoi Kryeministrit shqiptar të dëgjojë zërin e protestuesve dhe të mos fajësojë aktorë të jashtëm për pakënaqësitë e brendshme. Përplasja vjen në një moment delikat, ndërsa debati për projektin e Zvërnecit vijon të mbetet në qendër të diskutimit publik.









