Reforma e re territoriale u kthye në një nga temat kryesore të protestës së 57 para Kryeministrisë. Aktivistët e konsideruan atë një goditje ndaj historisë dhe identitetit të disa zonave, ndërsa nuk kursyen as akuzat politike ndaj qeverisë dhe thirrjet për hetime nga drejtësia.
Në protestën e zhvilluar këtë të diel para Kryeministrisë, krahas kritikave ndaj qeverisë për situatën ekonomike dhe korrupsionin, një vend të rëndësishëm zuri edhe kundërshtimi ndaj reformës së re territoriale. Aktivistët e cilësuan projektin si një ndërhyrje që, sipas tyre, jo vetëm cenon administrimin vendor, por prek edhe identitetin historik të disa krahinave të vendit.
Në fjalën e saj, aktivistja Etleva Merko u ndal te mundësia e shkrirjes së bashkive të Konispolit dhe Delvinës, duke e cilësuar këtë një “atentat ndaj historisë së vendit”. Ajo tha se qytetarët paguajnë taksa, por nuk marrin shërbimet që u takojnë, ndërsa reforma, sipas saj, vetëm sa do të përkeqësojë kushtet e jetesës.
“Si mund të fshihet Konispoli? Si mund të zbehet historia e Çamërisë? Si mund të humbasë roli historik i Delvinës në shtetformimin shqiptar? Qeveria nuk po ndjek interesat e qytetarëve, sepse është bërë arrogante dhe nuk dëgjon më zërin e tyre. Hiqni duart nga Konispoli, Delvina dhe Shqipëria”, deklaroi ajo, duke shtuar se qytetarët kanë të drejtë të mbrojnë interesin publik me mjete demokratike.
Akuza të forta politike u artikuluan edhe nga një prej aktivistëve të protestës, i cili deklaroi se kryeministri Edi Rama “ka lidhur besën me oligarkët dhe krimin e organizuar” vetëm për të ruajtur pushtetin. Sipas tij, protesta që organizatorët e quajnë “Revolucioni Flamingo” nuk do të zbehet gjatë verës, por do të vazhdojë deri në largimin e qeverisë.
“Rama mendoi se temperaturat e larta do ta shuanin protestën, por kjo është vera e vetmisë së tij. Pas 57 ditësh rezistencë, ne do të vazhdojmë deri në dorëheqjen e kësaj qeverie”, u shpreh ai.
Në podium foli edhe një qytetar i moshuar, i cili i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të hetojë deklaratat e mëparshme të kryeministrit lidhur me firmosjen e 17 vendimeve pa shqyrtuar dokumentacionin. Ai kërkoi që drejtësia të veprojë pa hezitim, duke theksuar se institucionet duhet të zbatojnë ligjin njësoj për çdo zyrtar.
Protesta u mbyll me thirrje për vijimin e mobilizimit qytetar dhe me përsëritjen e kërkesave për ndryshim politik, ndërsa organizatorët paralajmëruan se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.









