Reforma zgjedhore\ Pas debateve me PS, PD braktis komisionin 

Facebook
WhatsApp

Opozita kundërshton diskutimet me mazhorancën, duke pretenduar se shteti vazhdon të ndikojë në proceset zgjedhore. Socialistët paralajmërojnë se nuk do ta ndalin reformën dhe mund t’i miratojnë ndryshimet pa pjesëmarrjen e demokratëve.

Partia Demokratike ka braktisur mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke ndërprerë diskutimet mes palëve dhe duke thelluar përplasjen politike për mënyrën se si duhet të zhvillohet procesi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Bashkëkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi, dhe përfaqësuesi i opozitës, Ivi Kaso, u ngritën dhe u larguan nga mbledhja pas debateve me përfaqësuesit e mazhorancës. Bylykbashi argumentoi se opozita nuk mund të zhvillojë diskutime për reformën zgjedhore në kushtet kur, sipas tij, shteti vazhdon të ndërhyjë dhe të ndikojë në proceset zgjedhore.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri e cilësoi largimin e demokratëve si pjesë të një strategjie politike për të penguar punën e komisionit. Ai u kërkoi përfaqësuesve të PD-së të paraqesin propozimet e tyre, duke theksuar se ato duhej të ishin dorëzuar më herët dhe jo në momentet e fundit të procesit.

Gjiknuri e interpretoi bojkotin si një përpjekje për të ndërprerë punën e komisionit, ndërsa këmbënguli se diskutimet duhet të vazhdojnë.

Më i drejtpërdrejtë ishte reagimi i kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili paralajmëroi se mazhoranca nuk do të presë pafundësisht rikthimin e opozitës në tryezën e reformës.

Balla kujtoi se komisioni ka afat deri më 30 nëntor për të përfunduar punën dhe akuzoi Partinë Demokratike se po përdor bojkotin për të bllokuar procesin. Ai kundërshtoi gjithashtu përdorimin e vetos nga opozita për të ndërprerë punimet, duke theksuar se e drejta e vetos i është njohur demokratëve nga vetë mazhoranca, pavarësisht se PS disponon tri të pestat e votave në Kuvend.

“Kush e bojkotoi komisionin? E bojkotuan ata! Komisioni nuk ka pse të ndërpritet. Nuk ke pse e lë vendin duke abuzuar me një të drejtë, si ajo e vetos. PD t’i sjellë të gjitha propozimet në komision. Të diskutohen, por bojkoti i komisionit me një të drejtë që ta kemi dhënë ne, është i papranueshëm”, deklaroi Balla.

Ai paralajmëroi se, nëse demokratët nuk rikthehen në diskutime, socialistët do t’i depozitojnë propozimet e tyre drejtpërdrejt në Kuvend dhe do të kërkojnë miratimin e tyre me votat që kanë në dispozicion. Një zhvillim i tillë do ta kthente reformën zgjedhore në një proces të njëanshëm, pa konsensusin e opozitës.

Gjatë prononcimit të tij, Balla bëri të ditura edhe disa prej ndryshimeve që mazhoranca synon të shqyrtojë. Mes tyre është një formulë për përfaqësimin në këshillat bashkiakë të zonave që dikur kishin statusin e bashkive më vete, por që u bashkuan me njësi të tjera pas reformës administrativo-territoriale. Sipas propozimit, këto zona mund të përfaqësohen në këshillat bashkiakë përmes një formule të posaçme përpjesëtimi.

Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me rikthimin e numërimit të votave në qendrat e votimit, me argumentin se kjo do të shkurtonte kohën e numërimit dhe do të përshpejtonte shpalljen e rezultateve. Balla iu referua gjithashtu formulës së vitit 2020 për depolitizimin e komisioneve zgjedhore.

Sa u përket listave të hapura për zgjedhjen e anëtarëve të këshillave bashkiakë, kreu i grupit parlamentar socialist shprehu kundërshtimin e tij personal. “Sa i përket hapjes së listave për anëtarët e këshillave bashkiakë, unë jam kundër”, deklaroi ai.

Përplasja e fundit vë në pikëpyetje ecurinë e reformës, ndërsa afati i 30 nëntorit po afron dhe palët mbeten larg një marrëveshjeje për ndryshimet që duhet të garantojnë administrimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick