Refuzohet garancia 50 mijë euro, Thaçi mbetet në paraburgim

Facebook
WhatsApp

Hashim Thaçi mbetet i vetmi i akuzuar në këtë proces që vazhdon të mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen. Gjyqtari arriti në përfundimin se vazhdon të ekzistojë rreziku që ai të ndikojë në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara ose të kryejë vepra të ngjashme.

Hashim Thaçi nuk do të lirohet nga paraburgimi. Gjyqtari i vetëm në çështjen për tentim të pengimit të drejtësisë vendosi t’i zgjasë masën edhe për dy muaj, duke e lënë në fuqi të paktën deri në tetor 2026.

Mbrojtja kishte kërkuar lirimin e ish-presidentit të Kosovës me kusht, duke ofruar një dorëzani prej 50 mijë eurosh dhe duke propozuar 14 masa kufizuese.

Në vendim, gjyqtari vlerëson se garancia financiare, e siguruar nga vëllai i Thaçit dhe dy miq të tij, është një faktor që ul rrezikun e arratisjes.

“Garancia financiare prej 50 mijë eurosh është një element pozitiv dhe ndihmon në uljen e rrezikut të arratisjes”, tha ai.

Po ashtu, sipas gjykatës, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka paraqitur argumente të mjaftueshme për të provuar se Thaçi mund të largohet.

Megjithatë, gjyqtari arriti në përfundimin se vazhdon të ekzistojë rreziku që ai të ndikojë në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara ose të kryejë vepra të ngjashme.

“Mbetet rreziku që ai të ndikojë në proceset gjyqësore ose të kryejë vepra të tjera të ngjashme, çka justifikon vazhdimin e paraburgimit”, shtoi ai.

Për këtë arsye, kërkesa për lirimin e tij u rrëzua.

Hashim Thaçi mbetet i vetmi i akuzuar në këtë proces që vazhdon të mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen. Ndërkohë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj janë liruar më herët me kusht, nën 14 masa sigurie, ndërsa Hajredin Kuqi është mbrojtur në gjendje të lirë që nga nisja e procesit.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick