Kryeqyteti mban peshën më të madhe të aksidenteve të regjistruara gjatë korrikut. Në Tiranë janë shënuar 59 aksidente, ndërsa katër persona kanë humbur jetën si pasojë e tyre. Pas Tiranës renditen Fieri dhe Lezha, me nga 20 aksidente secili.
Rrugët e Shqipërisë janë përgjakur edhe gjatë muajit korrik, me 13 persona që kanë humbur jetën dhe 222 të tjerë që kanë mbetur të plagosur si pasojë e aksidenteve rrugore.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë korrikut 2026 janë regjistruar 165 aksidente, duke e renditur këtë muaj ndër më problematikët e pesë viteve të fundit. Shifra është vetëm dy aksidente më e ulët se ajo e nëntorit 2023, kur u regjistruan 167 raste.
Të dhënat tregojnë se ndër shkaqet e aksidenteve vijojnë të jenë sjellja e drejtuesve të mjeteve dhe shkelja e rregullave të qarkullimit, përfshirë tejkalimin e kufijve të shpejtësisë dhe drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit.
Situata paraqitet më e rënduar edhe në bilancin e shtatë muajve të parë të vitit. Gjatë periudhës janar-korrik 2026 janë regjistruar gjithsej 844 aksidente rrugore, 77 më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose një rritje prej rreth 10%.
Kryeqyteti mban peshën më të madhe të aksidenteve të regjistruara gjatë korrikut. Në Tiranë janë shënuar 59 aksidente, ndërsa katër persona kanë humbur jetën si pasojë e tyre.
Pas Tiranës renditen Fieri dhe Lezha, me nga 20 aksidente secili. Megjithatë, Elbasani rezulton me një raport të lartë fataliteti: në vetëm shtatë aksidente të regjistruara gjatë muajit kanë humbur jetën katër persona.
Sipas ndarjes sipas grupmoshave, drejtuesit e mjeteve të moshës 25-34 vjeç rezultojnë përgjegjës për pjesën më të madhe të aksidenteve, me 21.8% të totalit. Të dhënat tregojnë gjithashtu një peshë të konsiderueshme të drejtuesve mbi 60 vjeç në aksidentet e regjistruara.
E enjtja rezultoi dita me përqendrimin më të madh të aksidenteve, me 18.8% të rasteve të muajit, ndërsa e marta regjistroi numrin më të ulët.
Korriku sjell edhe një ndryshim në oraret kur ndodhin më shumë aksidente. Në kulmin e sezonit veror, periudha nga ora 19:00 deri në mesnatë ka regjistruar numrin më të lartë të rasteve.
Kjo e zhvendos peshën e aksidenteve drejt orëve të mbrëmjes, në një periudhë kur lëvizjet në rrugë shtohen për shkak të sezonit turistik dhe fluksit të udhëtimeve.
Bilanci i korrikut, me 13 viktima, 222 të plagosur dhe 165 aksidente, e mban sigurinë rrugore ndër problematikat kryesore gjatë muajve të verës, ndërsa rritja e numrit të aksidenteve në shtatë muajt e parë të vitit sinjalizon një përkeqësim krahasuar me vitin 2025.









