Në zonën e Myslym Shyrit dhe Shallvareve dominon heshtja, ndërsa një pjesë e qepenave qëndrojnë të ulur prej disa ditësh. Pjesa tjetër e bizneseve vendosin mesazhe pro protestës dhe luten që prona e tyre të mos dëmtohet
Prej një jave tashmë, Tirana është përfshirë nga protesta të dhunshme studentore, të cilat përveç djegies së disa prej godinave të institucioneve, prej ditësh kanë goditur edhe bizneset dhe dyqanet private.
Ajo që nisi si një lëvizje studentore, që kërkonte dorëheqjen e qeverisë Rama, tashmë ka marrë përmasat e një mosbindje civile, ndërsa jeta në kryeqytet është zhytur në një kaos pasigurie dhe dëmesh ekonomike të pallogaritshme.
Në zonën e Myslym Shyrit dhe Shallvareve, një pjesë e bizneseve që i kanë shpëtuar djegies, kanë vendosur që të ulin qepenat, ndërsa pjesa tjetër qëndron hapur me frikë. E përbashkëta e shumicës prej tyre është vendosja e një mesazhi në mbështetje të protestës, dhe lutja për protestuesit që të mos e dëmtojnë biznesin e tyre.
Shumica e pronarëve të dyqaneve, shprehen se këto ditë janë duke punuar me frikë, ndërkohë që situata konfliktuale ka ndikuar drejpërdrejtë në të ardhurat e tyre.
“Jemi me ju” ose shkrumb e hi! Si e kanë gjetur bizneset
Dëmet më të mëdha janë ato në sektorin bankar, si dhe në kompanitë e telefonive celulare, ku dyqanet janë shkrumbuar dhe plaçkitur në të gjithë zonën e qendrës. Një pjesë e bizneseve, që nuk ishin mësuar me këtë natyrë të dhunshme të protestave, kanë marrë masat tashmë duke fortifikuar një pjesë të godinave.
Shoqata e Bankave dënoi dhunën pak ditë më parë, ndërkohë që garantoi qytetarët se depozitat e tyre janë të sigurta, megjithatë një pjesë e filialeve për ditë me radhë qëndrojnë të mbyllura, duke penguar aktivitetin e bizneseve, kredimarrësve apo taksapaguesve.
Pak ditë më parë qeveria njoftoi hapjen e portalit “Dëmi im” për të raportuar pasojat e protestës, megjithatë situata tashmë vijon prej 7 ditësh dhe pasojat financiare sa vijnë e shtohen.
Edhe kjo e hënë, i gjen studentët dhe gjimnazistët në rrugë, ndërsa ende nuk ka një dritë jeshile për gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes qeverisë dhe protestuesve, për t’i dhënë fund dhunës.









