Konflikti midis vëllezërve Bushgjokaj dhe Petrit Çakrit, nisi pas akuzave për “spiunim” dhe deklarime të rreme. Gjatë ndërhyrjes për të ndalur dhunën mbetën të lënduar edhe 3 efektivë të togës shoqëruese.
Një incident i rëndë është regjistruar sot gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku një debat verbal mes të pandehurve është përshkallëzuar në përplasje fizike brenda kafazit të xhamtë të sallës së gjyqit.
Sipas informacioneve paraprake, sherri ka nisur pak pasi kishte filluar seanca, kur vëllezërit Bushgjokaj dyshohet se kanë sulmuar fizikisht Petrit Hoxhën, i njohur ndryshe si Petrit Çakri. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se tensionet janë shkaktuar nga pretendimet e vëllezërve Bushgjokaj se Çakri kishte bashkëpunuar me autoritetet dhe kishte bërë deklarime të rreme në dëm të tyre.
Dëshmitarë të pranishëm në sallë raportojnë se gjatë konfliktit janë dëgjuar akuza të forta, përfshirë edhe thirrjet “Spiun! Ke shpifur!”, përpara se situata të dilte jashtë kontrollit. Petrit Çakri mësohet se është goditur me grushte dhe, si pasojë e përplasjes, është rrëzuar duke u përplasur pas murit të strukturës së sigurisë.
Ndërhyrja e efektivëve të togës së shoqërimit të të burgosurve ka qenë e menjëhershme për të ndalur dhunën dhe për të rivendosur rendin në sallë. Megjithatë, gjatë përpjekjeve për të neutralizuar konfliktin, tre efektivë kanë pësuar lëndime.
Ngjarja shkaktoi tension dhe kaos për disa minuta në ambientet e gjykatës. Autoritetet pritet të dokumentojnë plotësisht incidentin dhe të marrin masat procedurale ndaj personave të përfshirë në përplasje.









