Babë e bir janë vrarë me armë zjarri pasditen e së dielës në fshatin Mgull të Dukagjinit, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur rëndë. Policia ka nisur hetimet dhe po verifikon disa pista për motivin e ngjarjes, mes tyre konfliktet e mëparshme dhe gjakmarrjen.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17:20 në fshatin Mgull, Njësia Administrative Pult, në Dukagjin të Shkodrës. Dy persona, babë e bir, janë qëlluar me armë zjarri dhe kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.
Viktimat janë identifikuar si Lekë Gjoni dhe Prel Gjoni, ndërsa i plagosuri është Lazër Bashi. Ky i fundit është dërguar për ndihmë mjekësore, ndërsa ende nuk dihen detaje të tjera për gjendjen e tij shëndetësore.
Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen, në zonë janë nisur forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Në operacion është angazhuar edhe RENEA, ndërsa terreni i vështirë malor dhe mungesa e sinjalit telefonik në disa zona po e vështirësojnë ndërhyrjen dhe komunikimin e forcave në terren.
Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe po mbledh prova për të rindërtuar dinamikën e krimit. Hetuesit po punojnë gjithashtu për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.
Në fokus të hetimit janë disa pista për motivin e vrasjes. Mes tyre po verifikohet mundësia që ngjarja të ketë ardhur si pasojë e konflikteve të mëparshme, ndërsa një tjetër pistë lidhet me gjakmarrjen.
Megjithatë, deri tani Policia nuk ka konfirmuar zyrtarisht asnjërën prej këtyre pistave. Hetuesit pritet të verifikojnë marrëdhëniet dhe konfliktet e mëparshme të viktimave, si dhe çdo rrethanë tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e motivit dhe autorësisë së krimit.
Forcat e rendit vijojnë kërkimet në zonën e Dukagjinit, ndërsa hetimi pritet të përcaktojë nëse vrasja lidhet me një konflikt të hershëm, gjakmarrjen apo një motiv tjetër.









