Shkon në 64 numri i studentëve të helmuar, AKU pezullon “Sori-Al”

Facebook
WhatsApp

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se do të vijojë ndjekjen e rastit dhe do të marrë masat e nevojshme në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore. Ndërkohë ka shkuar në 64 numri i studentëve që dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit të shpërndarë në Akademinë e Sigurisë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka reaguar pas helmimeve të disa kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, duke bërë të ditur se ka nisur menjëherë verifikimet pas informacionit të marrë përmes komunikimit ndërinstitucional me Akademinë.

Sipas AKU-së, kontrollet e para u zhvilluan në subjektin SORI-AL, i cili ofron shërbimin e catering-ut për Akademinë e Sigurisë në Sauk dhe Garnizonin “Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura.

Nga inspektimi në Akademinë e Sigurisë u konstatua se aktiviteti zhvillohej në kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe me dokumentacionin e nevojshëm. Inspektorët morën 14 mostra ushqimore, shtatë nga vakti i drekës dhe shtatë nga vakti i darkës të datës 24 qershor 2026, të cilat janë dërguar për analiza mikrobiologjike në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).

Në vijim të hetimeve, AKU kreu kontroll edhe në Garnizonin “Skënderbej”, ku përpunoheshin ushqimet. Edhe aty u konstatuan kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe dokumentacion i rregullt. Gjatë inspektimit u morën 14 mostra të tjera të ushqimeve të ruajtura, si dhe pesë tampone ambientale nga pajisjet dhe mjediset e punës për analiza laboratorike.

Si masë paraprake, AKU urdhëroi ndërprerjen e aktivitetit në ambientet e Garnizonit “Skënderbej” deri në publikimin e rezultateve të analizave laboratorike.Në kontrollet e zhvilluara morën pjesë edhe përfaqësues të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se do të vijojë ndjekjen e rastit dhe do të marrë masat e nevojshme në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore.

Ndërkohë ka shkuar në 64 numri i studentëve që dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit të shpërndarë në Akademinë e Sigurisë. Pas 60 rasteve të raportuara fillimisht, edhe katër kursantë të tjerë janë paraqitur në urgjencë me të njëjtat simptoma.

Policia dhe Prokuroria e Tiranës po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes. Sipas burimeve, dosja e këtij rasti pritet të bashkohet me hetimin për episodin e helmimit të ndodhur në fillim të muajit maj.

Në qendër të hetimeve mbetet kompania SORI-AL, e cila furnizon Akademinë me ushqim përmes shërbimit të kateringut. Ndërkohë, verifikimet e Prokurorisë janë shtrirë edhe te Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), për të përcaktuar nëse institucioni ka kryer kontrolle të tjera në ambientet e kompanisë pas rikthimit të aktivitetit të saj në Akademi gjatë dy muajve të fundit.

Po gjatë kësaj të premteje pritet të merret në pyetje administratorja e kompanisë, Alma Tafani, e cila hetohet në gjendje të lirë që prej rastit të parë të helmimit. Grupi hetimor është gjithashtu në pritje të rezultateve të analizave laboratorike të mostrave të ushqimit të marra nga AKU. Këto analiza pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të helmimit të 64 studentëve.

Vetëm 1 muaj më parë, u helmuan 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i ‘SORI-AL’. Nga mostrat e marra për analizë, rezultoi se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.

52 studentë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në spital me shenja helmimi me 7 Maj 2026. Të gjithë sapo kishin konsumuar vaktin e drekës në ambientet e akademisë. Akademia i siguron studentëve, të treja vaktet, me katering, nga kompania SORI-Al.

Studentët kanë konsumuar të njëjtën menu, sallatë me perime të ziera, gjellë me patate ose tavë me presh, makarona ose pilaf me karrotë, mish, biskotë, banane dhe bukë. Administratorja e Kompanisë SORI-Al” Alma Tafani, u shpall në kërkim nga policia. Blutë arrestuan kuzhinierin Kujtim Ballgjini dhe Kristjana Plaka teknologe e ushqimit në kompaninë që sillte ushqimin në Akademinë e Sigurisë, ndërsa në gjendje të lirë u vu bjë tjetër teknologe ushqimi në SORI-Al”

Deri në fund të vitit 2025, kompania Sori-Al rezulton si fituese e 75 tenderave publikë, me vlerë totale 4.2 miliardë lekë.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick