Kuqezinjtë do të presin Finlandën më 12 nëntor në stadiumin “Air Albania”, ndërsa tri ditë më vonë do të luajnë në transfertë kundër Bjellorusisë.
Thomas Strakosha pritet të jetë sërish jashtë Kombëtares shqiptare për dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve. Portieri 31-vjeçar vijon të vuajë pasojat e dëmtimit në gju, ndërsa Etrit Berisha shihet si alternativa kryesore për portën kuqezi.
Kombëtarja shqiptare mund të mos ketë në dispozicion Thomas Strakoshën për përballjet e nëntorit në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë do të presin Finlandën më 12 nëntor në stadiumin “Air Albania”, ndërsa tri ditë më vonë do të luajnë në transfertë kundër Bjellorusisë.
Portieri shqiptar mungoi edhe në derbin e së dielës mes AEK-ut dhe Panathinaikosit, duke qenë mungesa e vetme e skuadrës së tij. Më herët, trajneri i AEK-ut, Nikolic, kishte deklaruar se pret që Strakosha të rikthehet pas përfundimit të ndeshjeve të kombëtareve.
31-vjeçari pësoi një dëmtim në shtator, i cili e detyroi të humbiste katër ndeshjet që Shqipëria zhvilloi në fund të atij muaji dhe në fillim të tetorit.
Fillimisht, mundësitë për rikthimin e tij në ndeshjet e nëntorit dukeshin të mëdha, por problemi në gju ka rezultuar më serioz nga sa ishte parashikuar, duke vënë në dyshim praninë e tij në grumbullimin e radhës.
Në këto kushte, Etrit Berisha pritet të marrë sërish vendin e titullarit në portën e Kombëtares. Portieri 36-vjeçar ka shlyer pezullimin për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj Finlandës dhe pritet të rikthehet pikërisht në përballjen kundër këtij kundërshtari.
Berisha po kalon gjithashtu një periudhë mjaft pozitive me klubin e tij në Suedi. Në shtatë ndeshjet e fundit, ai ka arritur ta mbajë portën të paprekur, duke mos pësuar asnjë gol.









