Si funksiononte skema e mashtrimit me Call Center-a në Tiranë

Facebook
WhatsApp

Sipas hetimeve, punonjësit kontaktonin shtetas të huaj duke u premtuar rikthimin e parave të humbura nga investimet online, një skemë e njohur si “Recovery”. Fillimisht mblidheshin të dhëna për viktimat, humbjet e tyre financiare dhe platformat ku kishin investuar, ndërsa më pas rastet u kaloheshin personave që prezantoheshin si ekspertë për rikuperimin e fondeve.

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin në gjyq të tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi përmes një “call center”-i në zonën e Selitës.

Sipas dosjes hetimore, Klaudio Sulejmeni dhe Franko Karemani akuzohen për “Mashtrim kompjuterik”, ndërsa Eriglen Arapi për “Moskallëzim krimi”.

Hetimi lidhet me një aktivitet që dyshohet se zhvillohej në një ambient në rrugën “Zalli”, në Selitë, ku më 10 nëntor 2025 policia ndërhyri pas informacioneve operative për një call center të dyshuar si të paligjshëm.

Gjatë kontrollit, në ambient u gjetën persona që punonin në poste të përshtatura si zyra, me kompjutera dhe pajisje elektronike. Policia sekuestroi 9 njësi qendrore kompjuterike, 2 laptopë, telefona celularë dhe dokumente të ndryshme që u përdorën si prova materiale.

Sipas hetimeve, punonjësit kontaktonin shtetas të huaj duke u premtuar rikthimin e parave të humbura nga investimet online, një skemë e njohur si “Recovery”. Fillimisht mblidheshin të dhëna për viktimat, humbjet e tyre financiare dhe platformat ku kishin investuar, ndërsa më pas rastet u kaloheshin personave që prezantoheshin si ekspertë për rikuperimin e fondeve.

Një nga punonjëset e gjetura në ambient ka deklaruar se detyrat i ishin dhënë nga Sulejmeni dhe Karemani, ndërsa sipas prokurorisë, Sulejmeni dyshohet se organizonte aktivitetin dhe koordinonte punën, kurse Karemani vijonte komunikimet me klientët.

Për Eriglen Arapin, prokuroria pretendon se kishte dijeni për aktivitetin dhe nuk e kishte kallëzuar atë, ndërsa ai ka mohuar çdo përfshirje dhe ka deklaruar se ndodhej në ambient vetëm për të takuar Sulejmenin.

Çështja tashmë do të shqyrtohet nga gjykata, ndërsa sipas ligjit tre të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick