Si po përdoren narko-velierat nga mafia shqiptare në Spanjë

Facebook
WhatsApp

Sipas hetimeve, rrjeti ishte specializuar në transportimin e lëndëve narkotike përmes velierave dhe mjeteve të tjera lundruese rekreative. Grupi ua ofronte këto shërbime organizatave të ndryshme kriminale nga Evropa Lindore dhe Ballkani.

Një ngarkesë prej 2.1 tonësh kokainë e kapur pranë Galicias ka çuar në zbulimin e një rrjeti që përdorte veliera për transportimin e drogës për llogari të mafieve të Lindjes.

Shërbimi spanjoll i Mbikëqyrjes Doganore e interceptoi velierën rreth 400 milje larg brigjeve të Galicias dhe arrestoi katër anëtarët e ekuipazhit. Mes tyre ishte edhe një shqiptar, i cili konsiderohet nga hetuesit si “noteri” i operacionit.

Veliera, katër personat e arrestuar dhe droga e sekuestruar mbërritën këtë të hënë në portin e Vigos.Organizatat shqiptare të trafikut të drogës po shfaqin një prani gjithnjë e më të madhe në Spanjë, ndërsa Gadishulli Iberik është kthyer në një nga zonat e preferuara të operimit për futjen e kokainës në Evropë.

Goditja e fundit ndaj trafikut të kokainës, me sekuestrimin e 2.100 kilogramëve drogë në një velierë rreth 400 milje nga brigjet e Galicias, përtej sasisë së madhe të kapur, ka bërë të mundur edhe goditjen e një rrjeti që siguronte mjete lundruese për organizata kriminale të Lindjes.

Veliera me 2.1 ton kokainë

Operacioni për interceptimin e drogës u krye nga Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore. Anija e tij “Petrel I” iu afrua velierës në det të hapur, e mori nën kontroll dhe arrestoi katër anëtarët e ekuipazhit.

Veliera, ngarkesa me kokainë dhe katër të arrestuarit u transportuan këtë të hënë në portin e Vigos. Prej aty, të arrestuarit do të dalin përpara Audiencia Nacional, gjykata kombëtare spanjolle që mbikëqyr hetimin.

Hetimet për atë që më pas u quajt “Operacioni Doncella” kishin nisur që në muajin shkurt. Njësia e Shërbimit të Mbikëqyrjes Doganore në Girona, duke u bazuar në informacione të inteligjencës, mësoi se në një port të zonës ndodhej një velierë me gjatësi nga 13 deri në 15 metra, e cila mund të kishte marrë pjesë pak më parë në transportimin e një ngarkese droge në zonën kufitare mes Spanjës dhe Francës.

Nga kjo pistë, agjentët identifikuan një velierë të tipit “sloop”, me flamur polak, e cila për shkak të karakteristikave të saj u vendos menjëherë nën vëzhgim. Një tjetër element shtoi dyshimet e hetuesve.

Personi që rezultonte si pronari i mundshëm i velierës kishte precedentë për vjedhje dhe grabitje me dhunë.Veliera u lokalizua konkretisht në portin e Roses, në Girona, gjatë muajit qershor.

U zhduk nga radarët

Prej atij momenti, hetuesit e përqendruan vëmendjen te mjeti lundrues dhe kërkuan informacione nga autoritetet polake.Përmes Qendrës së Inteligjencës kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar (CITCO), u kërkuan të dhëna për pronësinë e velierës.

Më 11 korrik, anija u largua nga porti katalanas. Por ajo doli në det pa aktivizuar sistemin e identifikimit dhe lokalizimit AIS, përdorimi i të cilit është i detyrueshëm gjatë lundrimit. Ky veprim i shtoi edhe më shumë dyshimet e autoriteteve. Pas largimit nga porti, gjurmët e velierës humbën.

Megjithatë, falë bashkëpunimit me Agjencinë Kombëtare kundër Krimit të Mbretërisë së Bashkuar (NCA) dhe Agjencinë amerikane kundër Drogës (DEA), anija e operacioneve speciale “Petrel I” e Shërbimit të Mbikëqyrjes Doganore arriti ta lokalizonte përmes mjeteve elektronike.Veliera u gjet në orët e para të 14 shtatorit, rreth 400 milje nga brigjet e Galicias.

Autoritetet vendosën në atë moment ta interceptonin. Gjatë ndërhyrjes në velierë, agjentët e Doganave konstatuan se ajo transportonte një numër të madh pakosh. Në total u gjetën 70 pako, të cilat përmbanin afro 2.100 kilogramë kokainë.

Katër personat që ndodheshin në bord u arrestuan. Ata janë një shtetas argjentinas, një uruguaian, një kolumbian dhe një shqiptar. Pikërisht shqiptari, sipas hetuesve, kryente rolin e “noterit” për trafikantët e Lindjes që do të merrnin ngarkesën e kokainës.

Me këtë term, hetuesit nënkuptojnë se detyra e tij ishte të garantonte përpara organizatës që përfaqësonte se i gjithë operacioni po zhvillohej sipas planit dhe se ngarkesa ishte ajo e parashikuar.

Goditja vazhdon edhe në tokë

Ndërkohë që “Petrel I” tërhiqte narkovelierën drejt portit të Vigos, me katër të arrestuarit dhe drogën në bord, hetuesit vazhdonin operacionin edhe në tokë. Agjentët arrestuan një tjetër person, një shtetas kilian me banim në provincën e Gironas.

Sipas autoriteteve doganore, ky person kishte për detyrë të gjente dhe siguronte mjete lundruese me karakteristika të caktuara për mafiet e Lindjes. Hetimi nuk konsiderohet i mbyllur dhe priten arrestime të tjera. Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore parashikon arrestimin e një tjetër personi në tokë, një shtetas spanjoll me banim në Barcelonë.

Sipas hetuesve, ky person dyshohet se ishte përgjegjës për ruajtjen e mjeteve lundruese dhe për të kontrolluar nëse autoritetet po afroheshin apo po interesoheshin për to. Autoritetet nuk përjashtojnë arrestime të tjera, pasi hetimi vazhdon nën drejtimin e Audiencia Nacional.

Si funksiononte rrjeti i “narkovelierave”

Përtej kapjes së kësaj velierë me afro 2.1 ton kokainë, hetuesit kanë arritur të zbulojnë edhe mënyrën se si funksiononte grupi kriminal. Sipas hetimeve, rrjeti ishte specializuar në transportimin e lëndëve narkotike përmes velierave dhe mjeteve të tjera lundruese rekreative. Grupi ua ofronte këto shërbime organizatave të ndryshme kriminale nga Evropa Lindore dhe Ballkani.

Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore ka vlerësuar veçanërisht bashkëpunimin me Drejtorinë e Inteligjencës dhe Hetimit të Doganave Franceze (DNRED), si dhe mbështetjen e Qendrës së Inteligjencës kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar (CITCO) dhe Qendrës së Analizës dhe Operacioneve Detare kundër Trafikut të Drogës (MAOC-M).

Operacioni është zhvilluar gjithashtu me bashkëpunimin e NCA-së britanike dhe DEA-s amerikane, të cilat ndihmuan në lokalizimin e velierës pasi ajo ishte larguar me sistemin AIS të çaktivizuar.

Hetimi vijon dhe pritet që në ditët në vazhdim të dalin detaje të tjera për personat e përfshirë dhe organizatat për të cilat punonte rrjeti. Sipas hetuesve, “Operacioni Doncella” tregon një prani në rritje të organizatave të trafikut të drogës nga Evropa Lindore në territorin spanjoll.

Në disa raste ato bashkëpunojnë me trafikantë vendas, ndërsa në raste të tjera përdorin vetëm mbështetje të kufizuar lokale dhe veprojnë pothuajse në mënyrë të pavarur.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick