Sipas të dhënave të hetimit, mjeku Edmond Gashi, në bashkëpunim me disa kolegë, dyshohet se u rekomandonte pacientëve të diagnostikuar me kancer të merrnin shërbime në një klinikë private.
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen për skandalin e Onkologjikut. Ndaj të pandehurve është ngritur akuza e korrupsionit, e kryer në bashkëpunim. Në total janë tre të pandehur. Mes tyre është mjeku Edmond Gashi. Të akuzuar janë edhe Emiljano Lela dhe Mustafa Xhepmeta.
Sipas të dhënave të hetimit, mjeku Edmond Gashi, në bashkëpunim me disa kolegë, dyshohet se u rekomandonte pacientëve të diagnostikuar me kancer të merrnin shërbime në një klinikë private. SPAK dyshon se klinika ishte në pronësi të babait të mjekut, Halil Gashi.
Nga hetimet u zbulua se në vitin 2021 në Onkologjik u instalua një aparaturë kobalto-terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Që të përdoret Cobalt Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës.
Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike. Rasti u kallëzua në SPAK edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ndërkohë, më herët, Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim 6 mjekë, specialistë, drejtues të QSUT dhe drejtorin e një kompanie private për mohimin e trajtimit të pacientëve në spital dhe skemën e përfitimit të tyre përmes klinikave private.









