Dy grupime studentore dhe katër organizata të shoqërisë civile kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese paketën ligjore “antidhunë” të qeverisë, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të dispozitave të kundërshtuara dhe shfuqizimin e tyre. Sipas të rinjve, masat e reja cenojnë të drejtat dhe liritë themelore, duke rrezikuar të ndëshkojnë edhe qytetarët që marrin pjesë në protesta paqësore.
Paketa ligjore “antidhunë”, e miratuar nga qeveria për të ashpërsuar masat ndaj protestave të dhunshme, përballet me një betejë ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Dy grupime studentore, “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, në bashkëpunim me katër organizata të shoqërisë civile, kanë depozituar tre ankime, përmes të cilave kundërshtojnë dispozitat që, sipas tyre, kufizojnë në mënyrë joproporcionale të drejtën e tubimit dhe protestës.
Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesit e studentëve kërkuan që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi dhe të vendosë pezullimin e zbatimit të dispozitave të kundërshtuara deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Sipas tyre, megjithëse qeveria argumenton se ndryshimet ligjore synojnë parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e protestave paqësore, mënyra se si janë formuluar masat krijon rrezikun e ndëshkimit edhe të personave që nuk kanë ushtruar dhunë.
“Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat. Qeveria thotë se me këtë paketë ‘protesta paqësore mbrohet’ dhe se ‘përgjegjësia është gjithnjë vetjake’, por paketa ‘antidhunë’ ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë”, deklaroi një prej studentëve.
Në qendër të kundërshtimeve janë dispozitat që parashikojnë kufizimin e tubimeve pranë institucioneve, vendosjen e gjobave deri në 500 mijë lekë, sanksionet për mbulimin e fytyrës gjatë protestave dhe përgjegjësinë për qëndrimin në tubime ku ushtrohet dhunë.
Studentët kundërshtojnë gjithashtu parashikimet për krijimin e një regjistri elektronik, i cili, sipas tyre, mund të përdoret për kufizimin e daljes jashtë vendit të personave të përfshirë në protesta.
Përfaqësuesit e grupimeve studentore theksuan se pjesëmarrja në një tubim nuk mund të shërbejë si bazë për ndëshkimin e qytetarëve që nuk kanë kryer veprime të dhunshme.
“Kërkojmë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi. I kërkojmë gjithashtu që, deri në vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat kemi kërkuar pezullim. Edhe nëse Kuvendi i miraton aktet normative, ankimet nuk mbeten pa objekt. I kemi kërkuar Gjykatës ta shtrijë kontrollin edhe te ligji miratues”, u shpreh një studente.
Ajo ngriti shqetësimin se masat e reja mund të ndikojnë në pjesëmarrjen e të rinjve në jetën demokratike, duke krijuar frikë nga pasojat ligjore të protestës.
“Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë. Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik”, deklaroi ajo.
Tre ankimet janë nënshkruar nga grupimet “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, së bashku me Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe EcoAlbania.
Përmes kësaj nisme ligjore, studentët dhe organizatat kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë përputhshmërinë e dispozitave të kundërshtuara me Kushtetutën dhe garancitë për lirinë e tubimit.
Të rinjtë paralajmëruan se do të vijojnë kundërshtimin e masave që i konsiderojnë cenuese të të drejtave themelore, ndërsa tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë për kërkesat e pezullimit dhe shqyrtimin e ankimeve.









