Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit do të thirret në momentin kur të arrihet marrëveshje politike për presidentin.
Me tensione të forta është shoqëruar sot seanca në Kuvendin e Kosovës. Donika Gërvalla, deputete e grupit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministre në detyrë e Drejtësisë ka hyrë në sallën e seancave plenare për të takuar mërgatën në kuadër të aktivitetit të përvitshëm që kuvendi i Kosovës organizon për bashkatdhetarët.
Ajo ka pasur përplasje me deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliun, Eliza Hoxhën dhe Ganimete Musliun. Në vazhdimësi të njëjtat i kanë kërkuar të thërrasë seancën konstituive të kuvendit. “thirre seancën”, “boll me performanca, thirre seancën”.
Gërvalla u është përgjigjur të vijnë në takim për të arritur marrëveshje. “Ejani në takim, pse s’po vini, pse po tuteni”, ka thënë Gervalla.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së Artan Behrami i ka thënë Gërvallës se ka çuar dosje në Gjykatën Speciale kundër UÇK-së, “mos rrej”, ishte përgjigja e Gërvallës.
Në një moment, Gërvallën e ka lagur me ujë deputetja, Ganimete Musliu, ndërkohë që përplasja është zhvendosur nga Gërvalla, të deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Ardian Gola. Golës i është shtuar kërkesa e njëjtë, thirre seancën nga PDK-ja.
Përplasja ka vazhduar edhe me Arbërie Nagavcin që në legjislaturën e kaluar ishte shefe e grupit parlamentar të Vetëvendosjes.
Për momentin është pezulluar aktiviteti i Kuvendit me mërgatën, pasi përplasjet janë duke vazhduar në sallën e seancave plenare.
Ndërkohë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit do të thirret në momentin kur të arrihet marrëveshje politike për presidentin.
Rrustemi, në një intervistë për KosovaPress, është shprehur se afati prej 48 orësh për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive është i përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit, por, sipas tij, thelbi i krizës aktuale nuk lidhet me këtë afat, por me mungesën e dakordimit politik për presidentin.
“Na duhet kohë për të arritur marrëveshje për presidentin. Për sa kohë nuk ksemi dakordim për presidentin, konstituimi i legjislaturës është hap drejt zgjedhjeve të parakohshme, të panevojshme, për bindjen tonë. Jo drejt dakordimit apo zgjidhjes së çështjes kryesore që e preokupon Kosovën prej fillimit të këtij viti. Insistimi i opozitës që të konstituohet Kuvendi e, në anën tjetër, kur thonë se nuk marrin pjesë në seancën ku zgjidhet presidenti, është në fakt thirrje për zgjedhje të parakohshme. Ne nuk besojmë se Kosova ka nevojë për zgjedhje. Në anën tjetër, ky afati prej 48-orësh është afat i përcaktuar në rregullore, por thelbi i krizës është dakordimi për presidentin”, tha ai.
Ai ka theksuar gjithashtu se nuk ka shkelje kushtetuese për sa i përket afatit 30-ditor, duke iu referuar interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit moskonstituimi përfundimtar i Kuvendit brenda 30 ditësh nuk prodhon automatikisht pasoja në kuptimin e shpërndarjes së Kuvendit.









