Sipas hetimeve të para, Hallulli dhe Rama ishin përfshirë në një konflikt. Pas sherrit, 31-vjeçari dyshohet se mori kallashnikovin me qëllim për të vrarë 38-vjeçarin.
Një sherr mes dy personave në Spille të Rrogozhinës rrezikoi të përfundonte në vrasje.
31-vjeçari Neldi Hallulli u arrestua nga policia pasi u kap me një kallashnikov, të cilin dyshohet se e kishte marrë për të vrarë 38-vjeçarin Indrit Rama, me të cilin ishte konfliktuar më herët.
Policia mori informacion për konfliktin dhe ndërhyri menjëherë. Efektivët e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Postës së Policisë Rrogozhinë kapën Hallullin në flagrancë, ndërsa ai mbante me vete armën e zjarrit.
Sipas hetimeve të para, Hallulli dhe Rama ishin përfshirë në një konflikt. Pas sherrit, 31-vjeçari dyshohet se mori kallashnikovin me qëllim për të vrarë 38-vjeçarin.
Ndërhyrja e policisë parandaloi përshkallëzimin e konfliktit, ndërsa arma dhe municioni u sekuestruan si prova materiale.
Për të njëjtën ngjarje është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe Indrit Rama. Sipas policisë, 38-vjeçari kishte goditur me grushte Hallullin, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.
Ilir Rama po hetohet për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
“Pas marrjes së informacionit në rrugë operative se në zonën e Spillesë, Rrogozhinë, po ndodhte një konflikt, shërbimet e Policisë u organizuan dhe ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Postës së Policisë Rrogozhinë, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit N. H. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, ky shtetas mbante një armë zjarri, “Kallashnikov”.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi N. H. kishte pasur një konflikt me shtetasin I. R. dhe, në vijim të konfliktit, dyshohet se kishte qëllim ta vriste atë.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale, duke shmangur përshkallëzimin e konfliktit dhe pasojat e rënda për jetën e 38-vjeçarit.
Po në vijim të veprimeve u procedua penalisht dhe shtetasi I. R., për “Dëmtime të tjera me dashje”, sepse ka goditur me grushte shtetasin N. H., duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore”, njoftoi Policia e Durrësit.









