Tirana në flakë “pushton” mediat ndërkombëtare!

Facebook
WhatsApp

Protestat studentore në Tiranë kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat raportojnë për përshkallëzimin e tensioneve, zjarrin në Ministrinë e Arsimit dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë. Në fokus të raportimeve janë edhe kërkesat për përmirësimin e arsimit, korrupsioni dhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protesta studentore në Tiranë vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e mediave botërore. Ngjarjet në kryeqytetin shqiptar kanë zënë vend në faqet e disa prej mediave të njohura ndërkombëtare prej ditës së djeshme, mes tyre Al Jazeera, The Guardian, Reuters dhe Deutsche Welle dhe France 24.

Raportimet përcjellin pamje të zjarreve, tymit të dendur dhe përplasjeve në rrugët e Tiranës, duke pasqyruar përshkallëzimin e protestave studentore.

BBC në artikullin e saj me titull “Studentët protestues sulmojnë ndërtesat qeveritare në Shqipëri” thotë se “mijëra studentë dhe qytetarë kanë dalë në rrugët e Tiranës, në ditën e dytë të protestave kundër qeverisë, të cilat janë shoqëruar me akte dhune, sulme ndaj institucioneve dhe përplasje me policinë”.

Media ndërkombëtare Al Jazeera i ka kushtuar një artikull të posaçëm zhvillimeve në Tiranë, me titullin: “Zjarr shpërthen në Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë ndërsa protestat hyjnë në ditën e tretë”.

Sipas raportimit, zjarri në godinën e Ministrisë së Arsimit shpërtheu gjatë natës, në vijim të protestave studentore. Al Jazeera raporton se të paktën 16 protestues të tjerë u arrestuan pas përplasjeve me policinë, ndërsa demonstruesit kërkuan kushte më të mira në universitete dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Media thekson gjithashtu përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga policia për shpërndarjen e turmave.

Gazeta britanike The Guardian e ka pasqyruar situatën me titullin: “Protestat e studentëve në Shqipëri shndërrohen në të dhunshme, demonstruesit përleshen me policinë”.

Në raportimin e saj, gazeta ndalet te zjarret në një godinë qeveritare dhe në dy banka, si dhe te hedhja e gurëve ndaj policisë gjatë protestës në Tiranë.

Sipas The Guardian, dhjetëra mijëra persona dolën në rrugë, ndërsa forcat e rendit përdorën autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Gazeta e lidh zemërimin e studentëve me rritjen e kostove të arsimit, problemet në universitete dhe akuzat për korrupsion.

Edhe media “France 24” e nis shkrimin e saj me titullin: “Protestat në Shqipëri shndërrohen në të dhunshme, ndërsa protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama”.

Sipas medias franceze protestat antiqeveritare në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë u shndërruan në të dhunshme për natën e dytë radhazi të mërkurën, duke lënë disa ndërtesa qeveritare të dëmtuara.

Agjencia ndërkombëtare Reuters ka raportuar për protestat e 13 dhe 14 tetorit, duke vënë në fokus kushtet në universitete, kostot e arsimit të lartë, mbështetjen financiare për studentët dhe mundësitë e punësimit pas diplomimit.

Sipas raportimeve të agjencisë, protesta u përshkallëzua me hedhjen e tullave dhe blloqeve të betonit drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa policia iu përgjigj turmës me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Reuters pasqyron gjithashtu pakënaqësinë më të gjerë sociale dhe politike që shoqëron mobilizimin e studentëve. Edhe media gjermane Deutsche Welle ka raportuar për zjarrin në Ministrinë e Arsimit dhe ndërhyrjen e forcave të policisë në Tiranë.

Në artikullin e saj, DW i vendos protestat shqiptare në kontekstin e pakënaqësive kundër korrupsionit dhe zhvillimeve politike, duke përmendur gjithashtu ngjashmëritë me protestat studentore të zhvilluara në vende të tjera europiane.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick