Harry Kane kryeson te kompanitë e basteve, ndërsa Lamine Yamal shpreson të bëhet fituesi më i ri në historinë e çmimit. Kylian Mbappe vjen pas një sezoni me shifra të jashtëzakonshme, ndërsa Lionel Messi nuk përjashtohet nga gara.
Ceremonia e ndarjes së “Topit të Artë” për vitin 2026 mbahet këtë të hënë në Londër, me katër emra që tërheqin vëmendjen kryesore: Harry Kane, Lamine Yamal, Kylian Mbappe dhe Lionel Messi. Gara pritet të jetë e fortë, pasi secili prej tyre ka argumentet e veta për të fituar çmimin individual më prestigjioz në futboll.
Harry Kane shihet si favoriti kryesor nga kompanitë e basteve. Sulmuesi i Bayern Munich ka regjistruar një sezon të jashtëzakonshëm para portës, me 73 gola në 65 ndeshje për klubin dhe kombëtaren, ndërsa me ekipin gjerman fitoi titullin kampion në Bundesligë. Nëse triumfon, ai do të bëhej anglezi i parë që fiton çmimin që prej Michael Owen në vitin 2001
Lamine Yamal ka në favor suksesin e Spanjës në Kupën e Botës dhe trofetë e fituar me Barcelonën. Në moshën 19-vjeçare, talenti spanjoll synon të shkruajë historinë si fituesi më i ri i “Topit të Artë”. Megjithatë, dëmtimi dhe paraqitjet e tij në Botëror mund të ndikojnë në vlerësimin përfundimtar.
Kylian Mbappe është një tjetër kandidat i fortë, falë statistikave individuale. Sulmuesi francez ishte ndër golashënuesit më të mirë të sezonit dhe fitoi Këpucën e Artë të Botërorit, por mungesa e trofeve madhorë me Real Madridin dhe Francën mund t’i kushtojë në garën për çmimin. Pas fitores së Real Madridit në “El Clasico”, ku shënoi dy gola, kuotat e tij janë përmirësuar ndjeshëm.
Lionel Messi mbetet një emër që nuk mund të përjashtohet. Argjentinasi fitoi titullin e MLS-së me Inter Miami dhe zhvilloi një Botëror të rëndësishëm me kombëtaren, që arriti deri në finale. Megjithatë, kompanitë e basteve e rendisin larg tre kandidatëve kryesorë.
Pavarësisht favoritëve, rezultati mbetet i hapur. Trofetë kolektivë, statistikat individuale dhe ndikimi i secilit lojtar gjatë periudhës së vlerësimit do të jenë faktorë vendimtarë për përcaktimin e fituesit të edicionit të 70-të të “Topit të Artë”.









