Një 50 vjeçar shqiptar është arrestuar në Francë, pasi gjatë një kontrolli doganor në kamionin që drejtonte u zbuluan 114.6 kilogramë kokainë. Ai ka mohuar përfshirjen në trafikimin e lëndës narkotike, duke pretenduar se droga ishte futur në mjet pa dijeninë e tij.
Operacioni u zhvillua gjatë natës mes 18 dhe 19 nëntorit, në një pikë pagese rrugore në Arles, ku doganierët francezë ndaluan për kontroll rutinë një kamion me targa italiane, të drejtuar nga shtetasi shqiptar.
Sipas mediave franceze, automjeti transportonte mallra për një rrjet të madh shitjesh me pakicë. Gjatë inspektimit, autoritetet zbuluan një sasi të konsiderueshme kokaine, të fshehur në një strukturë mbajtëse që përdorej për stabilizimin e ngarkesës.
Pas sekuestrimit të lëndës narkotike, 50-vjeçari u arrestua dhe iu dorëzua Zyrës Kundër Narkotikëve të Policisë Gjyqësore (OFAST) në Marsejë, për vijimin e hetimeve. Më pas, ai u la në paraburgim në pritje të paraqitjes përpara gjykatës.
Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari ka deklaruar se nuk kishte dijeni për praninë e kokainës në kamion, duke pretenduar se persona të tjerë mund ta kenë vendosur atë në mjet pa dijeninë e tij.
overlay-clevercloseLogo
Sipas raportimeve, shqiptari nuk rezulton me precedentë penalë dhe nuk ka qenë më parë i njohur për sistemin francez të drejtësisë.
Ai akuzohet për posedim, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për shkelje të legjislacionit doganor lidhur me transportimin e mallrave të ndaluara.
Shoferi pritet të paraqitet më 24 nëntor përpara Gjykatës së Tarasconit, ku do të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij.









