Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e djeshme fshatin Zhymë të Lushnjës, ku një 45-vjeçar dyshohet se sulmoi me sqepar të dy prindërit e tij. Nëna 80-vjeçare humbi jetën, ndërsa babai 77-vjeçar mbeti i plagosur rëndë. I dyshuari u arrestua rreth një orë pas ngjarjes në Fier, teksa po largohej me një automjet tip “Ford”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:20, brenda banesës së familjes Dalladaku. Sipas Policisë, 45-vjeçari Florion Dalladaku dyshohet se, për motive që ende nuk janë bërë të qarta, ka goditur me sqepar nënën e tij, Fanije Dalladaku, 80 vjeçe, dhe babanë, Hasan Dalladaku, 77 vjeç.
Si pasojë e plagëve të marra, 80-vjeçarja nuk ka mundur t’u mbijetojë goditjeve dhe ka humbur jetën. Bashkëshorti i saj, 77-vjeçari Hasan Dalladaku, është plagosur rëndë dhe është transportuar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga banesa, duke vënë në lëvizje menjëherë shërbimet e Policisë. Kontrollet nisën në zonën e Lushnjës dhe u shtrinë edhe në drejtim të qyteteve përreth, ndërsa autoritetet vijuan kërkimet për lokalizimin e tij.
Rreth një orë pas krimit, Dalladaku u lokalizua dhe u arrestua në Fier. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, ai po lëvizte me një automjet tip “Ford” me ngjyrë blu.
Policia bën me dije se 45-vjeçari dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, një rrethanë që pritet të jetë pjesë e verifikimeve të grupit hetimor. Megjithatë, motivi i saktë i ngjarjes ende nuk është përcaktuar.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave. Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë dinamikën e ngjarjes dhe të përcaktojnë se çfarë e çoi 45-vjeçarin drejt sulmit ndaj dy prindërve të tij.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.









