Tre drejtuesit e opozitës së re refuzojnë koalicionin me PD

Facebook
WhatsApp

Thirrja e Sali Berishës për bashkimin e opozitës nuk ka gjetur mbështetjen e drejtuesve të partive të reja politike. Përkundrazi, Adriatik Lapaj, Agron Shehaj dhe Arlind Qori kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj një koalicioni që do të kishte në krye kreun e Partisë Demokratike, duke artikuluar rezerva dhe qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të ndërtohet një alternativë politike përballë Edi Ramës.

Të tre politikanët kanë komentuar ofertën e Berishës, duke bërë të qartë se bashkimi i opozitës nuk mund të nënkuptojë automatikisht një marrëveshje mes kryetarëve të partive.

Adriatik Lapaj ishte i qartë në qëndrimin e tij për drejtuesit e dy forcave kryesore politike në vend. Ai kërkoi largimin e përbashkët të Sali Berishës dhe Edi Ramës nga skena politike, por theksoi se nuk duhet të bëhet një barazim mes kreut të PD-së dhe elektoratit demokrat.

“Rama dhe Berisha duhet të tërhiqen nga skena politike, nuk kanë çfarë t’i japin Shqipërisë sot. Por nuk vendos dot shenjë barazimi mes Berishës dhe demokratëve”, deklaroi Lapaj në emisionin “Të Paekspozuarit”.

Sa i përket zgjedhjeve vendore të 9 majit, ai propozoi që ato të shërbejnë si një mundësi për të nxjerrë kandidatë të rinj nga protestat, radhët e studentëve dhe partitë e reja. Sipas tij, qytetarët duhet të kenë mundësi të përfaqësohen përmes një procesi demokratik, pa qenë të detyruar të pranojnë marrëveshje të paracaktuara mes drejtuesve politikë.

“Nuk e kam të bashkohemi ne të tre”, sqaroi Lapaj, duke nënvizuar se ideja e bashkimit duhet të jetë më e gjerë sesa një koalicion mes tre figurave politike.

Një refuzim të prerë ndaj ofertës së Berishës shprehu edhe Agron Shehaj. Kreu i Partisë Mundësia argumentoi se një koalicion me Partinë Demokratike nën drejtimin e Berishës nuk do ta afronte opozitën me fitoren përballë Edi Ramës, por përkundrazi do ta largonte atë nga ky objektiv.

Shehaj kujtoi se kishte refuzuar edhe më parë bashkëpunimin me kreun e PD-së, konkretisht gjatë zgjedhjeve të vitit 2025.

“Kur na ftoi Berisha për të bërë koalicion në vitin 2025, nuk i thamë jo se nuk ishim mjaftueshëm atdhetarë, jo se kishim ndonjë ego. Por shumë thjesht nuk e pamë të arsyeshme dhe shyqyr Zotit nuk e bëmë një gjë të tillë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Arlind Qori mbajti qëndrimin më të ashpër ndaj një bashkëpunimi të mundshëm me kryetarin e Partisë Demokratike. Kreu i Lëvizjes Bashkë e cilësoi Berishën si pjesë të të njëjtit sistem politik me Edi Ramën, duke e përshkruar atë si “sivëllain” e kryeministrit.

“Edi Rama është pushtetari më i keq, por Berisha është sivëllau i tij. Berisha ka edhe një dozë të parrëfyeshme pafytyrësie”, deklaroi Qori.

Ai akuzoi dy drejtuesit politikë se kanë interesa të përbashkëta me oligarkë dhe ndërtues, ndërsa kritikoi Berishën për kontradiktën mes sulmeve të fundit publike ndaj tij dhe ftesës së mëvonshme për të hyrë në një koalicion opozitar.

“Brenda 3-4 ditësh çfarë nuk tha për të më sulmuar mua, në të njëjtën linjë dhe egërsi me Ramën, dhe të bëjë të nesërmen sikur nuk ka ndodhur gjë, të thotë hajde futemi në koalicion”, u shpreh Qori.

Deklaratat e tre drejtuesve politikë nxjerrin në pah vështirësitë e nismës së Berishës për të krijuar një front të përbashkët opozitar. Ndërsa Lapaj kërkon një alternativë që të përfshijë edhe votuesit demokratë, por pa Berishën në krye, Shehaj kundërshton koalicionin duke e konsideruar të pafavorshëm për fitoren, ndërsa Qori e refuzon kategorikisht bashkëpunimin, duke i vendosur Ramën dhe Berishën në të njëjtën linjë politike.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick