Një 20-vjeçar humbi jetën në një aksident detar në Ksamil, ndërsa viktima u regjistruan edhe në Rrugën e Kombit dhe Liqenin e Ulzës. Gjashtë persona mbetën të plagosur në ngjarje të ndryshme.
Një aksident i rëndë detar u regjistrua mbrëmjen e së hënës në Gjirin e Ksamilit, ku sipas informacioneve paraprake një mjet lundrues u përplas me skafin e Policisë Kufitare të Sarandës. Si pasojë e përplasjes humbi jetën Albiano Kreçi, 20 vjeç, banor i Ksamilit, ndërsa disa persona të tjerë mbetën të plagosur.
Të paktën dy prej tyre u transportuan me ambulancë drejt Spitalit të Sarandës. Policia dhe shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë në vendngjarje, ndërsa hetimet për rrethanat e aksidentit vijojnë.
Një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në Liqenin e Ulzës, ku një i ri nga Laçi humbi jetën teksa po lundronte me motor uji. Sipas të dhënave paraprake, mjeti është përmbysur dhe e ka zënë poshtë drejtuesin e tij, duke i shkaktuar vdekjen. Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe grupi hetimor për të dokumentuar rrethanat e aksidentit.
Viktima e tretë u regjistrua në Rrugën e Kombit, në segmentin Rrëshen–Reps. Një 46-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një automjet teksa po tentonte të kalonte autostradën, menjëherë pasi kishte zbritur nga një autobus. Sipas policisë, ai ndërroi jetë gjatë transportimit drejt spitalit, ndërsa drejtuesja e automjetit u shoqërua për veprime procedurale.
Ndërkohë, katër persona mbetën të plagosur në një aksident rrugor në aksin Fier–Libofshë, pranë fshatit Petovë. Në përplasje u përfshinë dy automjete, një “Range Rover” dhe një “Mercedes”. Të plagosurit u dërguan në Spitalin Rajonal të Fierit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia po heton shkaqet dhe rrethanat e secilës prej ngjarjeve të regjistruara gjatë ditës.









