Sipas selisë blu, tri ngjarjet e ndodhura brenda së njëjtës ditë ngrenë pikëpyetje për aftësinë e institucioneve për të parandaluar krimin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Partia Demokratike ka reaguar pas tri ngjarjeve të rënda kriminale të regjistruara brenda pak orësh në Mirditë, Orikum dhe Korçë, duke akuzuar qeverinë se ka dështuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Në një deklaratë zyrtare, PD i referohet vrasjes së 65-vjeçarit Viktor Bardhi në Ndërfushaz të Mirditës, kërcënimit të denoncuar nga pronari i një resorti në Orikum dhe plagosjes me armë zjarri të një personi në Korçë.
Sipas opozitës, tri ngjarjet e ndodhura brenda së njëjtës ditë ngrenë pikëpyetje për aftësinë e institucioneve për të parandaluar krimin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
“Një qytetar vritet në pritë. Një biznes rrethohet nga një grup që lëviz me tetë automjete. Një tjetër qytetar plagoset me armë në qytet. Të gjitha brenda pak orësh. Kjo nuk është një ditë normale në një vend të sigurt”, deklaron Partia Demokratike.
Duke u ndalur veçanërisht te ngjarja e raportuar në Orikum, PD thotë se pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë të paktën tetë automjete që kanë mbërritur përpara një kompleksi, ndërsa prej tyre kanë zbritur disa persona.
Sipas informacioneve të raportuara, gjatë largimit pas ndërhyrjes së policisë, një prej automjeteve të dyshuara është aksidentuar, ndërsa brenda tij janë gjetur tre persona dhe një armë zjarri.
Për Partinë Demokratike, përmasat e ngjarjes përbëjnë një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj autoritetit të institucioneve.
“Kur një grup mund të organizojë tetë automjete, të lëvizë në formacion, të rrethojë një biznes dhe të kërcënojë pronarin në mes të ditës, nuk kemi më të bëjmë vetëm me një episod të kronikës së zezë. Kemi të bëjmë me një demonstrim force”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Demokratët kërkojnë zbardhjen e plotë të tri ngjarjeve dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve. Në deklaratë, PD shpreh mbështetje për punonjësit e Policisë së Shtetit që përballen me krimin, por kritikon mënyrën se si, sipas saj, institucionet po reagojnë pas ngjarjeve në vend që t’i parandalojnë ato.
“Shqipëria nuk mund të qeveriset me postblloqe të ngritura pasi është kryer vrasja, me ndjekje policore pasi është rrethuar biznesi dhe me komunikata pasi është qëlluar me armë. Policia nuk mund të jetë gjithmonë një hap pas krimit. Shteti duhet të jetë një hap përpara tij”, deklaron PD.
Në reagimin e saj, opozita i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, duke kërkuar shpjegime për situatën e sigurisë dhe për mënyrën se si grupe të dyshuara kriminale arrijnë, sipas saj, të veprojnë të organizuara.
“Pas 13 vitesh në pushtet, Edi Rama dhe qeveria e tij duhet t’u përgjigjen shqiptarëve: si është e mundur që grupe të organizuara të lëvizin me tetë automjete për të rrethuar një biznes, ndërsa armët shkrepen dhe njerëzit vriten apo plagosen në rrugët e vendit?”, pyet Partia Demokratike.
PD e lidh situatën jo vetëm me nivelin e kriminalitetit, por edhe me atë që e cilëson dobësim të autoritetit të shtetit dhe pandëshkueshmëri.
Sipas demokratëve, tri ngjarjet e regjistruara brenda pak orësh nuk mund të mbulohen nga komunikimi politik i qeverisë, ndërsa sulmojnë edhe atë që kryeministri e ka prezantuar si “Rilindja 2.0”.
“Tre ngjarje të rënda brenda një dite nuk mund të fshihen pas propagandës së ‘Rilindja 2.0’. Shqiptarëve nuk u duhet një version i ri i propagandës së vjetër. U duhet një shtet që kontrollon territorin, mbron jetën dhe pronën”, thuhet në reagimin e demokratëve.
Në deklaratë, PD parashtron edhe zotimet e saj për rendin dhe sigurinë në rast rikthimi në qeverisje, duke përmendur shkëputjen e lidhjeve mes politikës, policisë dhe krimit, forcimin e inteligjencës kriminale dhe hetimit proaktiv, goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe aseteve financiare të grupeve kriminale.
Opozita premton gjithashtu mbështetje më të madhe për punonjësit profesionistë të policisë, përmes teknologjisë, burimeve dhe kushteve më të mira financiare.









