Turistja gjermane humbi jetën në Palasë, policia reagon pas 1 jave

Facebook
WhatsApp

Një shtetase gjermane humbi jetën në Palasë në rrethana misterioze ndërsa policia reagoi disa ditë pasi lajmi u bë publik në media. Ngjarja ndodhi më 30 korrik në Palasë, ku shtetasja gjermane M. S., e cila ndodhej me pushime në zonën e Himarës së bashku me të fejuarin e saj, shfaqi probleme shëndetësore dhe kërkoi ndihmë mjekësore në spitalin e Himarës.

Ndërkohë, në media janë ngritur pikëpyetje lidhur me transportin urgjent të pacientes dhe mundësinë e ndërhyrjes me helikopter. Gazetarja Afrovita Hysaj thotë se helikopteri i emergjencës ka mbërritur në zonën e Himarës, por ka hasur vështirësi për ulje, pasi mungonte një hapësirë e përshtatshme.

Sipas saj, stadiumi i Himarës, i përdorur më herët për raste të tilla, aktualisht është në rikonstruksion dhe nuk mund të shërbente si pikë uljeje.

Sipas këtij pretendimi, për një periudhë kohe janë kërkuar alternativa për uljen e helikopterit, ndërsa më pas mjeti ajror është ulur në Palasë dhe pacientja është transportuar drejt Palasës me autoambulancë. 33-vjeçarja ndërroi jetë gjatë transportit.

Nga ana tjetër Policisë së Vlorës, e cila reagoi me gjashtë ditë vonesë nga momenti i ngjarjes dhe vetëm kur ajo u bë publike në media, thotë se turistja gjermane u dërgua në qendrën spitalore të Palasës, por pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, humbi jetën. Nga veprimet paraprake, autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për vdekje natyrale, si pasojë e një arresti kardiak.

Reagimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë:

Nisur nga një lajm i publikuar në media në lidhje me humbjen e jetës së një shtetaseje të huaj në Palasë, sqarojmë opinionin publik se:

Rreth orës 11:45, të datës 30.07.2026, Stacioni i Policisë Dhërmi u njoftua nga Qendra Shëndetësore e Palasës se në ambientet e saj ishte dërguar shtetasja gjermane M. S., 33 vjeçe, e cila kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe, pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore, humbi jetën.

Nga veprimet e kryera paraprakisht, dyshohet se bëhet fjalë për vdekje natyrale, pasi shtetasja gjermane dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje, në bashkëpunim me grupin hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë.

Pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë kompetente për veprime të mëtejshme.

Në lidhje me këtë rast, nga ana e Policisë janë kryer të gjitha veprimet në përputhje me procedurat standarde të punës dhe legjislacionin në fuqi.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick