Drilon Agolli kishte shkuar në zonën malore të Maliqit për të mbledhur bimë medicinale dhe çaj, ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar në një terren tejet të thyer.
Një operacion i vështirë kërkim-shpëtimi ka përfunduar me sukses në orët e vona të mesnatës në Moglicë të Maliqit, pasi një person ishte rrëzuar nga një shkëmb në Malin e Gopeshit.
Bëhet fjalë për, Drilon Agollin, i cili kishte qenë në zonën malore për të mbledhur bimë medicinale dhe çaj, ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar në një terren tejet të thyer. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat e Policisë së Maliqit në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës organizuan ndërhyrjen emergjente për lokalizimin e tij.
Për shkak të terrenit të vështirë, nxjerrja e të plagosurit është realizuar fillimisht me barelë, duke kërkuar angazhim maksimal nga grupet e shpëtimit për shkak të errësirës dhe relievit të thyer.
Burime pranë grupit të shpëtimit bëjnë me dije se Agolli ka marrë plagë të rënda gjatë rënies nga shkëmbi. Pas marrjes së ndihmës së parë në vendngjarje, ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku pas stabilizimit fillestar, është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për një trajtim më të specializuar mjekësor.









