Sipas policisë, arma e zjarrit u gjet në çantën që 29-vjeçari mbante me vete. Pistoleta dhe municioni u sekuestruan, ndërsa ndaj tij nisën procedurat penale për armëmbajtje pa leje.
Një 29-vjeçar suedez është arrestuar nga policia në Durrës, pasi gjatë kontrollit iu gjet një pistoletë me karikator të mbushur me fishekë, e cila sipas autoriteteve mbahej pa leje.
I riu inicialet O. K., u arrestua në flagrancë gjatë kontrolleve të zhvilluara nga shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në kuadër të operacionit të koduar “Siguria”.
Sipas policisë, arma e zjarrit u gjet në çantën që 29-vjeçari mbante me vete. Pistoleta dhe municioni u sekuestruan, ndërsa ndaj tij nisën procedurat penale për armëmbajtje pa leje.
Në një tjetër fazë të të njëjtit operacion, policia bëri të ditur se ka parandaluar vjedhjen e një kasaforte murale në një banesë.
Për këtë rast u arrestua në flagrancë D. P., 24 vjeç, i cili u kap në afërsi të banesës ku dyshohet se kishte tentuar të kryente vjedhjen.
Hetimet çuan edhe në identifikimin e dy bashkëpunëtorëve të dyshuar, V. K., 38 vjeç, dhe S. I., 26 vjeç. Policia ndaloi 38-vjeçarin, ndërsa 26-vjeçari është shpallur në kërkim dhe vijojnë kontrollet për kapjen e tij.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
“Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve, patrullimeve, bashkëpunimit me qytetarët dhe punës informative, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, krahas angazhimit maksimal për zbatimin e planit të posaçëm të masave të ndërmarra në kuadër të sezonit turistik, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh finalizuan 2 faza të tjera të operacionit të koduar ‘Siguria’, gjatë të cilave u godit një rast i armëmbajtjes pa leje, si dhe u parandalua një vjedhje. Për këto raste:
-u arrestua në flagrancë shtetasi suedez, O. K., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit në çantën (marsup) që mbante me vete, u gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me karikator të mbushur me fishekë, që posedoheshin pa leje;
-u arrestua në flagrancë, në afërsi të banesës, ku kishte tentuar të vidhte një kasafortë murale, shtetasi D. P., 24 vjeç, ndërsa nga hetimet e kryera për këtë rast, u identifikuan 2 bashkëpunëtorët e tij, shtetasit V. K., 38 vjeç dhe S. I., 26 vjeç. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u mundësua ndalimi i shtetasit V. K., ndërkaq punohet intensivisht për kapjen e shtetasit S. I. Kontrollet vijojnë.
Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.









