114-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është shoqëruar me një sërë urimesh nga politika shqiptare, Kosova dhe partnerët ndërkombëtarë. Mesazhet kanë përcjellë vlerësime për historinë dhe identitetin kombëtar, por edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe aspiratën europiane të Shqipërisë.
I pari që përcolli urimin ishte kryeministri Edi Rama, i cili publikoi një fotografi nga monumenti i Pavarësisë në Vlorë, duke e lidhur festën kombëtare me rrugëtimin europian të vendit.
“Mirëmëngjes dhe me 28 Nëntorin më të afërt me Europën e Bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar”, shkroi Rama.
Edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përcolli urimin e tij, duke zgjedhur si simbol një shqiponjë dykrenare të punuar në xham nga mjeshtri Vasil Dhiamandi. Ai e cilësoi këtë simbol si një përfaqësim të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Urime për Shqipërinë erdhën edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, uroi popullin shqiptar për Ditën e Pavarësisë, ndërsa vlerësoi partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Në mesazhin e tij, Rubio veçoi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, luftën kundër krimit të organizuar dhe sigurinë kibernetike.
“I shpreh urimet e mia më të ngrohta popullit të Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, duke përfshirë edhe përpjekjet e përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to”, shkroi Rubio.
Edhe NATO iu bashkua urimeve për 28 Nëntorin, duke vlerësuar kontributin e ushtarakëve shqiptarë në misionet dhe stërvitjet e përbashkëta të Aleancës, pjesë e së cilës Shqipëria është që prej vitit 2009.
Nga Kosova, kryeministri Albin Kurti kujtoi përmes mesazhit të tij telegramet që lidhën qytetet shqiptare në ditët para shpalljes së Pavarësisë, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve historike për liri dhe shtetformim.
“Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë”, shkroi Kurti.
Ndërkohë, urimet nuk munguan as nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, të cilët përcollën mesazhet e tyre nga qelia.
Meta nderoi figurën e Ismail Qemalit dhe patriotët që kontribuuan në shpalljen e Pavarësisë, duke e përmbyllur mesazhin me sloganin: “Një komb dhe një flamur!”.
Nga ana tjetër, Veliaj uroi shqiptarët për festat e Pavarësisë dhe të Çlirimit, duke shprehur dëshirën për të qenë në sheshin “Skënderbej” për ngritjen e flamurit dhe nderimin e atyre që dhanë jetën për Shqipërinë.
“Çdo nëntor na kujton se liria nuk na është falur”, shkroi Veliaj.









