Veliaj refuzon operimin në Fier: S’i besoj Ramës nën narkozë!

Facebook
WhatsApp

Veliaj thotë se spitalin Memorial për operacionin e tij e zgjodhi kryeministri Rama, që sipas tij është ai që e “internoi” në burgun e Fierit. Ndërkaq drejtori i Burgut të Fierit, Arben Qalliu, ka reaguar duke e akuzuar Erion Veliajn se po përdor si “alibi” pretendimin se nuk po trajtohet siç duhet nga shteti.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj qëndron në paraburgim prej shkurtit 2025, teksa javët e fundit u zhvendos nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, nga ku nisën përplasjet edhe me kryeministrin Edi Rama.

Veliaj pretendon se ky është një “internim politik”, ndërsa ai prej muajsh kërkon një operacion për këmbën e dëmtuar gjatë një ndeshje në burg.

Drejtoria e Burgjeve ka vendosur që Veliaj të operohet nesër në Spitalin Memorial të Fierit, ndërsa kryebashkiaku ka bërë kërkesë në GJKKO duke refuzuar dhe kërkuar që të operohet në një spital privat në Tiranë, i zgjedhur nga familja e tij.

Në reagimin e fundit, Veliaj thotë se spitalin Memorial për operacionin e tij e zgjodhi kryeministri Rama, që sipas tij është ai që e “internoi” në burgun e Fierit.

“E kuptoj që makineria e PR-it të Kryeministrit është sulur edhe ndaj këmbës sime, me sa duket se u kanë mbaruar punët e vendit për të publikuar. Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit.
Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime? Që të premten në mëngjes i jam drejtuar GJKKO-së për të garantuar vlerësimin nga mjeku i zgjedhur prej meje dhe operimin në spitalin që zgjedh familja ime.
Nuk po refuzoj trajtimin apo operimin e mundshëm, të cilin e kam kërkuar prej muajsh. Po refuzoj që ai që më internoi të vendosë edhe mbi jetën time!”- shkruan Veliaj në Facebook.

Drejtori i Burgut të Fierit, Arben Qalliu, ka reaguar duke e akuzuar Erion Veliajn se po përdor si “alibi” pretendimin se nuk po trajtohet siç duhet nga shteti, pasi kryebashkiaku refuzoi të paraqitej në Spitalin Memorial për ndërhyrjen kirurgjikale të planifikuar për nesër. Qalliu tha se Veliaj e kishte argumentuar vendimin me faktin se “nuk është gati”.

“Atëherë, pas kërkimit me ngulm të ndërhyrjes sipas avokatit dhe vetë shtetasit Erion Veliaj, duke u shprehur se po i rëndohej situata shëndetësore, sot, në mënyrë të befasishme dhe plotësisht të qetë, vetë shtetasi Erion Veliaj ka refuzuar të paraqitet pranë Spitalit Memorial Fier për të bërë të mundur ndërhyrjen, duke nënkuptuar se nuk paska qenë problem ndërhyrja, por zhurma dhe alibia për të ngritur pretendimin sikur nuk po trajtohet siç duhet nga instancat shtetërore. Pra, sot, pas një lumi kërkesash nga ana e Erion Veliajt se pse nuk po lejohej të kryhej ndërhyrja, po vetë ai refuzon ta kryejë ndërhyrjen, me motivacionin se nuk është gati”, thuhet në njoftimin e drejtorit të Burgut të Fierit, Arben Qalliu.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick