Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka nisur që në korrik të vitit 2025.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga aksioni për lirimin e hapësirave publike në kryeqyet. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë thekson se ky aksion do të vijojë edhe më tej.
“Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike në Tiranë”, shkroi Rama në Facebook.
Në ditët e para të muajit korrik të 2025, kryeministri Edi Rama bëri një vizitë të befasishme në bashkinë e Vlorës duke kërkuar shkarkimin e drejtorëve në këtë bashki për moskompetencë e që lidhej kryesisht me atë që e cilësoi më vonë si zaptimin e hapësirave publike.
Gjatë vizitës Rama u bëri thirrje asokohe deputetëve të zgjedhur dhe drejtuesve vendorë të dalin në terren dhe t’ju japin zgjidhjeve problemeve të qytetarëve, duke i takuar nga afër. Gjithashtu ai u dha ultimatum që brenda dy javëve të kenë gati raportin me punën e bërë.
Ndërkohë më 8 korrik Rama kërkoi dorëheqjen e drejtorëve të bashkisë së Fierit dhe Durrësit në institucionet që sipas tij nuk kanë përmbushur detyrën. Po në këto ditë të para të korrikut 2025 nisi dhe një aksion në fshatin turistik Theth në veri të vendit për prishjen e ndërtesave pa leje.
Në këtë rast Rama akuzon prokuroren Elsa Gjeli se refuzoi të hapte një çështje penale kundër një biznesmeni të kallëzuar nga Policia e Shtetit për ndërtimin e një fshati të tërë turistik pa asnjë leje. Ai theksoi se lugina e Thethit do të pastrohet nga betoni dhe do të kthehet në gjendjen e mëparshme.
Gjithashtu Rama ka deklaruar se i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të paraqesë një kërkesë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për shkarkimin e saj.









