Situata në Ulëz mbetet kritike, ndërsa përparësia është vendosja nën kontroll e flakëve dhe mbrojtja e fermave, bagëtive dhe sipërfaqeve pyjore që ndodhen në drejtimin e zjarrit.
Zjarri që prej tre ditësh përfshin Njësinë Administrative Ulëz, në Bashkinë Mat, vijon të jetë jashtë kontrollit, ndërsa flakët po përparojnë drejt territorit të Krujës. Situata është përkeqësuar gjatë natës, kur vatra është përhapur me shpejtësi edhe në fshatin Madhesh.
Raportohet se përhapja e zjarrit po rrezikon fermat dhe bagëtitë e banorëve të zonës. Në një prej fermave ndodhen rreth 250 lopë, ndërsa në zonën e prekur ka edhe një numër të konsiderueshëm delesh, dhish dhe koshere bletësh.
Banorët raportojnë se disa krerë bagëtish nuk janë gjetur që prej nisjes së zjarrit. Ndërkohë, tymi i dendur ka mbuluar zonën, duke e vështirësuar më tej situatën. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme në Lundëre dhe masivin pyjor të Trodhenit.
Deri tani bëhet me dije se qindra hektarë pyje janë djegur, përfshirë sipërfaqe me pisha, dushqe dhe lloje të tjera bimësie. Pavarësisht angazhimit të forcave në terren, vatrat nuk janë vendosur ende nën kontroll.
Prej dy ditësh në operacion është përfshirë edhe një helikopter, por ndërhyrja nga ajri dhe puna e forcave në terren nuk kanë arritur deri tani të ndalin përhapjen e flakëve.
Shqetësimi kryesor lidhet tashmë me drejtimin që po merr zjarri. Flakët po përparojnë drejt territorit të Krujës, duke shtuar rrezikun që vatra të zgjerohet më tej.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe shtimin e mjeteve ajrore, me qëllim frenimin e zjarrit përpara se ai të përfshijë zona të tjera.
Situata në Ulëz mbetet kritike, ndërsa përparësia është vendosja nën kontroll e flakëve dhe mbrojtja e fermave, bagëtive dhe sipërfaqeve pyjore që ndodhen në drejtimin e zjarrit.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, prej të cilave 4 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 432 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 70 forca ushtarake dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 90 forcave ushtarake në bashkitë Bulqizë, Mat dhe Tiranë.
Vatrat aktive janë:
- Dajt, Tiranë – vijojnë vatra aktive në drejtim të Qafë-Priskës. Ditën e djeshme u angazhuan 15 zjarrfikës, 9 forca të ADZM-së, 20 ushtarakë dhe 1 helikopter. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
- Vajkal, Bulqizë – zjarr aktiv në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja, në terren shkëmbor. U angazhuan 11 forca MZSH, 5 pyjore, 7 vullnetarë dhe 30 ushtarakë.
- Lundre, Mat – vijon zjarri në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore; u angazhuan 40 forca MZSH/pyjore, 20 ushtarakë dhe 1 helikopter.* Ura e Shtrenjtë, Shkodër – vatër aktive në terren të thepisur; po punohet për izolimin dhe parandalimin e përhapjes.
Nën mbikëqyrje vijojnë vatrat në Qafën e Helmës (Bulqizë), Qafën e Lugut (Korçë), malin e Qukësit (Prrenjas) dhe Zhejë (Kurbin). Në të gjitha rastet e mësipërme nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.









