Vlorë u përfshi sot nga dy ngjarje të rënda, me dy viktima në rrethana të ndryshme. Një biznesmen humbi jetën pasi u zu poshtë nga materiale ndërtimi, ndërsa një 75-vjeçare ndërroi jetë pasi dyshohet se u vetëhodh nga kati i tretë i Spitalit Rajonal të Vlorës. Policia ka nisur hetimet për të dyja rastet, ndërsa rrethanat e plota mbeten ende për t’u sqaruar.
Ngjarja e parë dhe më e rëndë u shënua paraditen e sotme në një subjekt privat në Vlorë, ku humbi jetën biznesmeni Ylli Shakaj. 73-vjeçari, pronar i aktivitetit, ndodhej në ambientet e biznesit kur disa materiale ndërtimi ranë mbi të dhe e zunë poshtë.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 11:40, në lagjen “24 Maji”, në ambientet e jashtme të subjektit. Dyshohet se në momentin e incidentit po shkarkohej një ngarkesë me panele të tipit “sanduiç”, kur disa prej tyre rrëshqitën dhe ranë mbi Shakajn.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit, të cilët ndërhynë për nxjerrjen e trupit të viktimës. Pavarësisht ndërhyrjes, Shakaj nuk mundi të mbijetonte.
Grupi hetimor ka nisur punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve. Në fokus të verifikimeve janë edhe kushtet në të cilat po kryhej shkarkimi i materialeve dhe nëse janë respektuar rregullat e sigurisë në punë.
Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë orëve të natës në Spitalin Rajonal të Vlorës. Një grua 75 vjeçe, me origjinë nga Borshi, e cila ishte e shtruar në repartin e kirurgjisë, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i godinës.
E moshuara pësoi dëmtime të rënda si pasojë e rënies dhe, pavarësisht ndërhyrjes së stafit mjekësor, nuk mundi të mbijetonte. Rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja janë ende duke u hetuar nga autoritetet.
Policia po verifikon dinamikën e plotë të rastit për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur në minutat para vetëhedhjes dhe nëse ka pasur ndonjë rrethanë të veçantë që mund të ketë ndikuar në vendimin e 75-vjeçares.
Dy ngjarjet, të ndodhura në të njëjtën ditë në Vlorë, kanë shkaktuar tronditje, ndërsa grupet hetimore vijojnë mbledhjen e provave dhe dëshmive për të sqaruar rrethanat e plota të të dyja rasteve.









