Vlorë\ Zjarr në një hotel: 6 të plagosur, 1 në gjendje kritike! (video)

Facebook
WhatsApp

Një zjarr i fuqishëm përfshiu në orët e para të mëngjesit një hotel në Lungomare të Vlorës, duke shkaktuar panik te pushuesit. Gjashtë persona mbetën të lënduar, ndërsa pesë prej tyre u transportuan në Tiranë për trajtim të specializuar. Hetimet paraprake dyshojnë se zjarri u shkaktua nga një defekt elektrik.

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme përfshiu rreth orës 04:05 një godinë në zonën e Lungomares në Vlorë, ku ndodhej hoteli “Brooklyn”. Flakët nisën në ambientet e restorantit dhe u përhapën më pas në pjesën e hotelit dhe në fasadën e godinës.

Situata krijoi panik te pushuesit, të cilët u përpoqën të largoheshin nga ndërtesa për t’u shpëtuar tymit dhe flakëve. Disa prej tyre u detyruan të dilnin nga dritaret dhe ballkonet, ndërsa disa pësuan dëmtime si pasojë e rënies.

Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë momentet dramatike kur disa persona përpiqen të largohen nga godina përmes dritareve. Një prej të lënduarve ka treguar se, pasi doli në korridor dhe pa se ai ishte mbushur me tym, u drejtua drejt ballkonit.

“Dolëm në korridor, pamë shumë tym. Mbyllëm derën, shkuam në ballkon dhe pamë flakët. Kërcyem nga ballkoni”, ka rrëfyer ai.

Në Spitalin Rajonal të Vlorës u transportuan gjashtë persona, të moshave 21 deri në 30 vjeç. Pesë prej tyre, të identifikuar si Ndorina Rexhepi, 25 vjeç; Arlinda Rexhepi, 27 vjeç; Erza Grainca, 21 vjeç; Aldo Kasimi, 30 vjeç; dhe Ana Dyrmishi, 25 vjeç, u nisën drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Një tjetër, Luan Saliu, 21 vjeç, vijon të marrë trajtim në Vlorë.

Sipas të dhënave paraprake, pesë prej të lënduarve janë shqiptarë të Kosovës, ndërsa një është nga Rrësheni. Dy prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme, ndërsa të tjerët kanë marrë dëmtime trupore, përfshirë fraktura.

Në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse dhe Policia, duke bërë të mundur lokalizimin e flakëve dhe evakuimin e godinës.

Hetimet paraprake e konsiderojnë zjarrin aksidental. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë dhe veprimet e tjera hetimore dyshohet se flakët janë shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të një frigoriferi në ambientet e restorantit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick