Sipas të dhënave të deritanishme, ata kishin shkuar në lokal për të ushtruar funksione sigurie. Policia thotë se gjatë konfliktit nuk ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe, pas ngjarjes, nuk njoftuan Policinë e Shtetit për vrasjen.
Dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra në kuadër të hetimeve për vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil.
Bëhet fjalë për Miosid Matushajn, punonjës i Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, dhe Romeo Shehun, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër.
Nga hetimet rezulton se të dy ndodheshin në lokalin “Principote” kur nisi konflikti që më pas përfundoi me vrasjen e turistit portugez.
Sipas të dhënave të deritanishme, ata kishin shkuar në lokal për të ushtruar funksione sigurie. Policia thotë se gjatë konfliktit nuk ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe, pas ngjarjes, nuk njoftuan Policinë e Shtetit për vrasjen.
Për këtë arsye, ndaj të dyve është marrë masa e pezullimit nga detyra.
Miosid Matushaj është arrestuar, ndërsa ndaj tij janë ngritur akuzat për “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Edhe Romeo Shehu rezulton se ishte pjesë e grupit të personave që kryenin funksione sigurie në lokalin “Principote”. Hetimet ndaj tij lidhen me përgjegjësinë e dyshuar për moskallëzimin e ngjarjes.
Dosja hetimore tregon se në lokal, në momentin e konfliktit, ndodheshin edhe dy persona të tjerë që ushtronin funksione sigurie. Policia ka referuar në Prokurori materialet lidhur me veprimet dhe mosveprimet e tyre para dhe pas vrasjes.
Hetimet për ngjarjen vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Vrasja e 20-vjeçarit
Viktima është identifikuar si Luis Miguel Varela Mendes, i cili kishte ardhur në Ksamil së bashku me një grup miqsh. Sipas të dhënave të reja që kanë dalë nga hetimet dhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë ngjarja dyshohet se ka nisur rreth orës 02:30, brenda ambienteve të lokalit te quajtur “La Guerra”, pjese e resortit Principotes.
Thuhet se konflikti ka nisur për një vajzë dhe 20-vjeçari portugez është goditur me thikë nga punonjësi i sigurisë në lokal Sokrat Vata, tashmë i arrestuar, si dhe me grushte nga një person tjetër i identifikuar si David Heurteven, 29 vjeç, banues në Tiranë dhe i shpallur në kërkim.
Policia thotë se gjatë sherrit edhe kamarierët Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Murat Zhabina dhe Ildi Cekani janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi Sokrat Vata dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas konfliktit thuhet 20-vjeçari është nxjerrë jashtë ambienteve të “beach bar”-it, ku është lënë i pajetë në zonën e plazhit. Lapsi.al shkruan se trupi i turistit dyshohet se është lënë jashtë për gati 3 orë, deri në momentin kur u zbulua dhe policia mbërriti në vendngjarje.
Sipas të njëjtave burime Luis Miguel Varela Mendes kishte marrë disa goditje me mjet prerës në shpinë dhe në kraharor, plagë të cilat i kanë shkaktuar vdekjen.









