Të dhënat paraprake të hetimit tregojnë se 23-vjeçari dyshohet se kishte shkuar i vetëm në apartamentin e çiftit dhe kishte hyrë me forcë në banesë. Në momentin kur i dyshuari hyri në apartament, Abigel Laçi ndodhej e vetme.
Një 24-vjeçare shqiptare është vrarë në Graz të Austrisë, ndërsa policia ka arrestuar si të dyshuar për krimin vëllain e partnerit të saj.Viktima është identifikuar si Abigel Laçi, 24 vjeçe, me origjinë nga Vlora. E reja është gjetur pa shenja jete në apartamentin ku banonte në qendër të Grazit.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e së enjtes. Policia është njoftuar rreth orës 12:40 dhe efektivët janë nisur drejt apartamentit. Pas hyrjes në banesë, policia ka gjetur 24-vjeçaren pa shenja jete. Sipas të dhënave të deritanishme, Abigel Laçi kishte marrë plagë të rënda dhe kishte humbur jetën në vendngjarje.
Hetuesit dyshojnë se autori ka përdorur një çekiç për të goditur të renë. Autoritetet austriake nuk kanë bërë publike të gjitha të dhënat për mënyrën se si është kryer krimi, pasi hetimet vijojnë.
Menjëherë pas ngjarjes, policia ka arrestuar në shkallët e pallatit një 23-vjeçar. Sipas dëshmitarëve, i riu ishte i mbuluar me gjak kur efektivët e ndaluan.
Autoritetet njoftuan fillimisht se personi i arrestuar kishte lidhje familjare me viktimën. Më pas u bë e ditur se bëhej fjalë për vëllain e partnerit të Abigel Laçit.
Të dhënat paraprake të hetimit tregojnë se 23-vjeçari dyshohet se kishte shkuar i vetëm në apartamentin e çiftit dhe kishte hyrë me forcë në banesë. Në momentin kur i dyshuari hyri në apartament, Abigel Laçi ndodhej e vetme.
Hetuesit dyshojnë se pikërisht brenda apartamentit ka ndodhur sulmi ndaj 24-vjeçares. Çekiçi dyshohet se është përdorur si mjet i krimit, ndërsa policia po punon për të rindërtuar dinamikën dhe lëvizjet e të dyshuarit para dhe pas vrasjes.
Pas arrestimit, policia ka marrë në pyetje 23-vjeçarin. Ai ka zgjedhur të heshtë dhe nuk ka dhënë shpjegime për atë që ka ndodhur në apartament.
I dyshuari nuk ka dhënë deklarime as për motivin që mund të ketë çuar në vrasjen e 24-vjeçares. Autoritetet kanë kryer ndërkohë autopsinë e trupit të Abigel Laçit, ndërsa specialistët po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të krimit.









