Nga kontrolli në doganë, autoritetet konstatuan se dërgesa përmbante karamele xhelatine me përmbajtje të dyshuar kanabisi, me peshë totale rreth 572 gramë.
Antidroga e Tiranës ka zbuluar një rast të dyshuar të trafikimit të lëndëve narkotike përmes shërbimit postar, duke arrestuar në flagrancë një shtetase amerikane 48-vjeçare, me inicialet Sh. I., e cila jetonte në Shqipëri.
Sipas burimeve hetimore, ajo ishte pritëse e një pakoje të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë kontrollit në doganë, autoritetet konstatuan se dërgesa përmbante karamele xhelatine me përmbajtje të dyshuar kanabisi, me peshë totale rreth 572 gramë.
Pas zbulimit, policia organizoi një dorëzim të kontrolluar për të identifikuar marrësin e pakos. Një agjent i Antidrogës, i maskuar si postier, ia dorëzoi dërgesën 48-vjeçares, e cila u arrestua menjëherë sapo e mori në dorëzim.
Gjatë marrjes në pyetje, ajo ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk e kishte porositur pakon dhe se nuk kishte dijeni për përmbajtjen e saj.
Antidroga e Tiranës po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të verifikuar nëse e arrestuara ka lidhje me rrjete të mundshme të trafikimit të lëndëve narkotike.









