Prokurorët e posaçëm kanë argumentuar se nevojiten veprime të tjera hetimore dhe kanë shtyrë afatin deri më 23 nëntor. SPAK ka dyshime se konsorciumi fitues mund të jetë favorizuar gjatë procedurës së koncesionit.
SPAK ka zgjatur me tre muaj hetimet për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, ndërsa nën hetim janë shtatë anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit. Prokuroria e Posaçme ka ngritur dyshime se konsorciumi fitues mund të jetë favorizuar gjatë procedurës së koncesionit.
SPAK ka vendosur të zgjasë me tre muaj të tjerë hetimet për procedurën e dhënies me koncesion të Aeroportit të Vlorës.
Prokurorët e posaçëm kanë argumentuar se nevojiten veprime të tjera hetimore dhe kanë shtyrë afatin deri më 23 nëntor 2026.
Në qendër të hetimit janë shtatë anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit, të dyshuar për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.
Dokumentet e SPAK të publikuara më herët kanë ngritur dyshime edhe për mënyrën se si u përcaktua konsorciumi fitues për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
“Ka dyshime që anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë favorizuar bashkimin e shoqërive Mabco Construction, Yda Group dhe 2A GROUP në kualifikimin dhe në shpalljen fituese të procedurës së koncesionit”, thuhet në dokumentet e SPAK.
Hetimi nisi pas kallëzimit të kompanisë Al-De Corporation LTD, nëpërmjet shtetasit Aldi Çeli.
Ndërkohë, koncesioni i Aeroportit të Vlorës është përfshirë edhe në një konflikt mes aksionerëve. Përplasja nisi mes Behgjet Pacollit, përfaqësues i Mabco, dhe Valon Ademit të 2A GROUP.
Gjatë konfliktit mes palëve, qeveria shqiptare njoftoi nisjen e procedurës për prishjen e koncesionit.
Mosmarrëveshja për Aeroportin e Vlorës ka kaluar tashmë edhe në Arbitrazh, ndërsa SPAK vijon hetimin për procedurën që çoi në shpalljen e konsorciumit fitues.









