Flakët janë përhapur me shpejtësi si pasojë e temperaturave të larta dhe erës së fortë. Autoritetet po mbajnë nën vëzhgim situatën, ndërsa vijojnë përpjekjet për të parandaluar zgjerimin e mëtejshëm të vatrës së zjarrit.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe pyjore në Iballe të Fushë-Arrëzit, mbi lagjen Gere, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Për shkak të terrenit të thyer malor, zjarrfikësit e Fushë-Arrëzit nuk kanë mundur të depërtojnë në vatrën e zjarrit dhe janë stacionuar në qendër të Njësisë Administrative. Ndërkohë, banorët e zonës dhe punonjësit e shërbimit pyjor kanë punuar gjatë gjithë natës me mjete rrethanore në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve.
Meqenëse zjarri është përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme të ekonomisë pyjore Iballe–Mëzi, është kërkuar ndërhyrja me helikopter nga Forcat e Armatosura. Ekipet po punojnë për ruajtjen e perimetrit të zjarrit dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka nisur në një zonë me shkurre, ndërsa dyshimet e para janë se mund të jetë shkaktuar nga zjarrvënie e qëllimshme.
Autoritetet pritet të kryejnë hetime për të përcaktuar shkaqet e plota të rënies së zjarrit, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve vijon.
Një vatër e mdhae zjarri është regjistruar sote dhe në zonën e Qafë Thanës, në të cilën flakët janë përhapur me shpejtësi si pasojë e temperaturave të larta dhe erës së fortë.
Zjarri ka përfshirë një zonë me bimësi të ulët dhe të mesme, duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës. Mësohet se në vendngjarje janë angazhuar zjarrfikësit e Pogradecit, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Autoritetet po mbajnë nën vëzhgim situatën, ndërsa vijojnë përpjekjet për të parandaluar zgjerimin e mëtejshëm të vatrës së zjarrit.









